“Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi.”
Jobi 35:10
Çdo njeri mund të këndojë ditën. Kur e ka plot kupën, njeriu frymëzohet prej saj. Kur ka shumë para, çdonjëri mund ta lavdërojë Perëndinë që jep të korra të bollshme ose që i dërgon gjemitë e mbushura me mall në portin e duhur. Harpa eolike e ka mjaft të lehtë të bëjë muzikë kur fryn era, por zor se mund të prodhojë tinguj muzikorë në kohë bunace. E kemi të lehtë të këndojmë kur mund t’i lexojmë notat nën dritën e diellit; por i aftë është ai që arrin të këndojë edhe në mes të territ, kur nuk ka asnjë rreze drite për t’i lexuar notat. Asnjëri nuk është i aftë ta thurë një këngë me forcat e veta në mes të natës; mbase edhe mund të përpiqet, por do të zbulojë se për të shkruar një këngë në orët e territ, të nevojitet frymëzim hyjnor.
Në qoftë se gjithçka shkon mirë, atëherë mund të thur këngë, duke i endur ato nga lulet që rriten përgjatë shtegut tim; por ç’do të bëja po të gjendesha mes shkretëtirës, aty ku nuk rritet asnjë bimë e gjelbër, pra, me çfarë do t’i thurja një himn lëvdimi Perëndisë? Si mundet një vdekatar t’i bëjë një kurorë Zotit kur nuk i ka gurët e çmuar për këtë qëllim? Në e paça mirë këtë zë dhe këtë trup plot shëndet, mund t’i këndoj këngë lavdërimi Perëndisë, por lidhma gjuhën, shtrimë në një shtrat lëngate, dhe atëherë, a thua vallë do t’i këndoj lavde Perëndisë po qe se nuk ma vë Ai Vetë këngën në gojën time? Jo, njeriu nuk ka fuqi të këndojë kur gjithçka i shkon keq e ters, po qe se nuk ia prekin më parë buzët me një thëngjill të ndezur të marrë nga altari.
Kënga që këndoi Habakuku, tingujt e së cilës mbushën natën, ishte këngë hyjnore: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem te ZOTI dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakuku 3:17-18). Atëherë, meqenëse Krijuesi ynë edhe “natën na jep këngë gëzimi”, le të mbetemi në pritje të muzikës që do të na dërgojë Ai. O Kryemuzikanti ynë, mos na lër pa këngë në gojë për shkak të vuajtjeve me të cilat përballemi, por akordoji buzët tona sipas tingujve të melodisë së falënderimit!
© dritez.al 2024