Kështu thotë ZOTI, ZOTI: “Do të jem sërish i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta.”
Ezekieli 36:37
Lutja është pararendësja e mëshirës. Hapni analet e historisë së shenjtë dhe do të shihni se zor se ka pasur ndonjë mëshirë të madhe, që të ketë ardhur mbi këtë botë pa iu hapur më parë rruga nga përgjërimet. Përvoja juaj personale ju thotë se kjo është e vërtetë. Perëndia ju ka dhënë edhe shumë favore, të cilat nuk i keni kërkuar në lutje, por megjithatë, lutja e zjarrtë ka qenë përherë paraprijësja e mëshirave të mëdha në jetën tuaj.
Kur për të parën herë gjetët paqe përmes gjakut të kryqit, ju kishit qenë duke u lutur shumë dhe duke ndërmjetësuar me zell pranë Perëndisë, që t’ju hiqte dyshimet dhe t’ju çlironte nga mundimet tuaja. Siguria juaj ishte fryti i lutjeve tuaja. Sa herë që jeni përshkuar nga gëzime të mëdha marramendëse, e keni ndier si detyrim që t’i konsideroni ato si përgjigje të lutjeve tuaja. Pas çdo çlirimi mbresëlënës nga vështirësi të mëdha dhe ndihmave të fuqishme tek jeni përballur me rreziqe kërcënuese, ju keni qenë në gjendje të thoni: “Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia” (Psalmi 34:4).
Lutja është gjithmonë parathënia e bekimit. E paraprin bekimin si të ishte hija e tij. Kur rrezet e diellit të mëshirave të Perëndisë ndriçojnë mbi nevojat tona, ato bëjnë që hija e lutjes të zgjatet deri poshtë në fushë. Ose, nëse përdorim një ilustrim tjetër, kur Perëndia ngre një kodër me mëshira, Ai Vetë shkëlqen që nga pas tyre dhe bën që hija e lutjes të zgjatet mbi shpirtrat tanë, në mënyrë që të jemi të sigurt se kur lutemi me të gjitha forcat, përgjërimet tona janë hijet e mëshirës.
Prandaj, lutja është e lidhur me bekimin, për të na treguar vlerën e tij. Nëse do të merrnim bekime pa i kërkuar ato, ne do t’i shihnim si gjëra të zakonshme; por lutja i bën mëshirat që marrim, më të çmuara sesa diamantet. Gjërat që i kërkojmë në lutjet tona, janë vërtet të vyera, por ne nuk e kuptojmë vlerën e tyre derisa t’i kërkojmë ato me gjithë zemër.
Lutja e bën renë e zezë të marrë arratinë;
Lutja të bën t’i ngjitesh shkallës që pa Jakobi;
E ushtron besimin dhe dashurinë;
Dhe nga lart na sjell çdo bekim.
© dritez.al 2024