Ky gjeti më parë vëllanë e vet, Simonin…
Gjoni 1:41
Rasti në fjalë është shembull i shkëlqyer i të gjitha atyre rasteve kur jeta frymërore është plot energji. Një njeri që sapo e ka gjetur Krishtin, fillon të gjejë të tjerë për Zotin e tij. Nuk besoj se e ke provuar mjaltin e Ungjillit nëse e ha të gjithin vetë. Hiri i vërtetë u jep fund të gjitha monopoleve frymërore. Andrea gjeti më parë vëllanë e vet, Simonin, dhe pastaj të tjerët. Janë pikërisht marrëdhëniet ato që na shtyjnë fuqishëm në përpjekjet tona të para individuale për të ndarë Ungjillin me të tjerët.
Andrea, ti bëre mirë që e nise me Simonin. Besoj se nuk mungojnë të krishterët që nuk lënë shtëpi të njerëzve të tjerë pa shpërndarë trakte ungjillëzuese, të cilët do të bënin mirë të linin më parë një trakt në shtëpinë e tyre. Po ashtu, nuk mungojnë të krishterët që duke qenë të zënë me punë frymërore diku larg familjes, lënë pas dore shërbesën e tyre të veçantë brenda mureve të shtëpisë. Mund të jesh i thirrur për t’i ungjillëzuar banorët e një vendi të caktuar ose jo, por pa dyshim që je i thirrur që t’iu dëshmosh shërbëtorëve të tu, familjes sate dhe të njohurve të tu.
Le të fillojë rrëfimi i besimit tënd brenda mureve të shtëpisë. Të shumtë janë tregtarët që i eksportojnë mallrat e tyre më të mira, por i krishteri nuk duhet jetë i tillë. Kudo ku ndodhet, të gjitha fjalët dhe bisedat e tij duhet të jenë më të mirat; por le të bëjë kujdes që t’i paraqesë dhe t’i ndajë frytet më të ëmbla të jetës frymërore dhe dëshmisë së tij pikërisht me familjen e vet. Kur Andrea vajti të gjente të vëllanë, nuk mund ta përfytyronte dot se sa i rëndësishëm do të bëhej Simoni. Mësa dimë nga historia e shenjtë, Simon Pjetri ishte sa për dhjetë Andre e megjithatë, Andrea luajti një rol kyç në afrimin e tij te Jezusi. Mbase të mungojnë dhuntitë, por megjithatë, ti mund të jesh mjeti për të sjellë te Krishti dikë që do të bëhet i rëndësishëm në hir dhe shërbesë.
Mik i dashur, sa pak e njeh potencialin që ke brenda vetes! Ti mund t’i flasësh një fjalë të vetme një fëmije dhe në atë fëmijë mund të jetë duke dremitur një zemër fisnike, e cila do ta zgjojë kishën e krishterë në vitet që do të vijnë. Andrea kishte vetëm dy talente e megjithatë, ai gjeti Pjetrin. Shko edhe ti dhe bëj si ai!
© dritez.al 2024