Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë.
Veprat e Apostujve 2:4
Të pasura do të ishin bekimet e ditës së sotme nëse të gjithë ne do të ishim të mbushur me Frymën e Shenjtë. Do të ishte e pamundur të mbivlerësoheshin rezultatet e kësaj mbushjeje të shenjtë të shpirtit tonë. Jeta, ngushëllimi, drita, dëlirësia, fuqia, paqja dhe shumë bekime të tjera janë të pandashme nga prania dashamirëse e Frymës.
Si vaj i shenjtë, Ai e vajos kokën e besimtarit duke e ndarë mënjanë për priftërinë e shenjtorëve dhe duke i dhënë atij hir për ta ushtruar këtë ofiq në mënyrën e duhur.
Si i vetmi ujë pastrues i vërtetë, Ai na pastron nga fuqia e mëkatit dhe na veçon në shenjtëri, duke na aftësuar që të dëshirojmë dhe të bëjmë atë që i pëlqen Zotit.
Si drita, Ai na e shfaqi Veten në errësirën tonë, dhe tani Ai e zbulon brenda nesh Zotin Jezus, si dhe na udhëzon në udhën e drejtësisë. Të ndriçuar nga rrezja e Tij e pastër qiellore, nuk jemi më në errësirë, por dritë në Zotin.
Si zjarr, Ai na pastron nga papastërtitë dhe e ndez flakë natyrën tonë të shenjtëruar. Ai është zjarri i flijimeve, me anë të të cilit mund t’ia ofrojmë gjithë qenien tonë Perëndisë, si një fli të gjallë.
Si vesë qiellore, Ai na çliron nga shterpësia dhe i bën pjellore jetët tona. Oh, sa dëshirojmë që Ai të vijë mbi ne në këtë orë të hershme të ditës! Një vesë mëngjesore si kjo do të ishte një fillim i bukur për ditën tonë.
Si pëllumbi, me krahë dashurie plot paqe, Ai e mbulon Kishën e Vet dhe shpirtrat e besimtarëve, dhe si Ngushëllues, Ai i përzë shqetësimet dhe dyshimet që e prishin paqen e të dashurve të Tij. Ai zbret mbi të zgjedhurit siç zbriti mbi Krishtin në pagëzimin e Tij, dhe dëshmon birërinë e tyre, duke krijuar në ta një frymë birnore, falë së cilës, ata thërrasin: “Abba, Atë.”
Si era, Ai derdh frymën e jetës mbi njerëzit; duke fryrë ku të dojë, Ai kryen veprimtarinë rilindëse me anë të së cilës krijimi frymëror vjen dhe mbahet në jetë.
Dashtë Perëndia që ta ndiejmë praninë e Tij sot dhe në çdo ditë tjetër!
© dritez.al 2024