spurgeon dev 19 qershor pm
Qershor 2023

I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve. Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.

Kënga e Këngëve 2:16-17

Pa dyshim, nëse ka ndonjë varg të hareshëm në Bibël, ai është ky—“I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij.” Është kaq i mbushur me paqe, me siguri, kaq i tejmbushur me lumturi dhe kënaqësi, saqë edhe mund të jetë shkruar nga e njëjta dorë që shkroi Psalmin 23. Megjithëse peizazhi është jashtëzakonisht i bukur dhe i këndshëm—skena më e bukur e gjithë rruzullit—jo gjithçka në të ndriçohet nga dielli. Ka një re në qiell, e cila e hedh hijen e saj mbi këtë skenë. Dëgjoni: “Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin.”

Këtu flitet gjithashtu për “malet që na ndajnë” ose “malet e thepisura”, dhe për dashurinë tonë nuk ka gjë më të hidhur sesa ndarja. Shumë i dashur, ka shumë gjasa që kjo të jetë gjendja jote frymërore sot. Nuk e vë aspak në dyshim shpëtimin tënd, sepse e di që Krishti është yti, por ti nuk po feston bashkë me Të. Ti e di se jeta jote është në Të, pra, nuk ke asnjë hije dyshimi se je i Tiji dhe se Ai është yti, por, megjithatë, dora e Tij e majtë nuk është poshtë kokës sate dhe as e djathta e Tij nuk të përqafon. Një hije trishtimi zgjatet mbi zemrën tënde, ndoshta për shkak të vuajtjeve, sigurisht që nga mungesa e përkohshme e Zotit tënd, saqë edhe kur shpall: “Unë jam i tiji”, je i detyruar të biesh në gjunjë dhe të lutesh: “Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im.”

“Ku të jetë Ai vallë?”, pyet shpirti. Dhe përgjigjja vjen: “Ai e kullot kopenë midis zambakëve.” Nëse dëshirojmë ta gjejmë Krishtin, ne duhet të hymë në përbashkësi me njerëzit e Tij, duhet të marrim pjesë në sakramentet e Tij së bashku me shenjtorët e Tij. Oh, sikur të mund ta shikonim Atë sadopak këtë mbrëmje! Oh, sa mirë do të ishte të hanim darkë me Të sonte!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin