Prill 2023

Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja deri në fund.

Mateu 27:51

Çarja e velit aq të trashë dhe të padepërtueshëm të tempullit nuk ishte një mrekulli e vogël; mirëpo, kjo nuk ndodhi vetëm për të shfaqur fuqinë [e Perëndisë]—brenda saj fshihen shumë mësime. 

Ligji i vjetër i urdhëresave u hoq nga përdorimi dhe, porsi një mantel i ngrënë nga koha, u gris dhe u la mënjanë. Me vdekjen e Jezusit, mbaroi edhe koha e flijimeve, sepse ato u përmbushën në Të; dhe për pasojë, tempulli, vendi ku ato kryheshin, u shënua me një shenjë të qartë të këtij ndryshimi. 

Çarja e velit po ashtu zbuloi të gjitha gjërat e fshehura të besëlidhjes së vjetër: Froni i mëshirës tanimë mund të shihej dhe lavdia e Perëndisë shkëlqente mbi të. Me anë të vdekjes së Zotit tonë Jezus përftojmë një zbulesë të qartë të Perëndisë, sepse Ai nuk ishte “si Moisiu, i cili vinte një mbulesë mbi fytyrën e vet” (2 e Korintasve 3:13). Jeta dhe pavdekësia tani kanë dalë në dritë dhe gjërat që ishin fshehur qysh prej themelimit të botës, janë zbuluar në Të. 

Ceremonia e përvitshme e shlyerjes së mëkateve u shfuqizua gjithashtu. Gjaku shlyes, i cili dikur spërkatej një herë në vit brenda velit, tashmë u ofrua një herë e mirë nga Kryeprifti i madh dhe për pasojë, vendi ku mbahej rituali simbolik, u bë i papërdorshëm. Gjaku i demave apo i qengjave nuk nevojitet më tani, sepse Jezusi ka hyrë brenda velit me gjakun e Tij. 

Rrjedhimisht, tashmë lejohet qasja te Perëndia, dhe ky është një privilegj i cili i takon gjithkujt që beson në Jezu Krishtin. Nuk bëhet fjalë për një të çarë të ngushtë nga e cila mezi mund të vështrojmë fronin e mëshirës, por e çara zgjatet nga maja e velit e deri në fund. Mund t’i afrohemi me guxim fronit të hirit qiellor.

A gabojmë vallë nëse themi se hapja e Shenjtërores së Shenjtëroreve në këtë mënyrë kaq të mrekullueshme nga britma shpirtdhënëse e Zotit tonë nënkuptonte hapjen e portave të parajsës për të gjithë shenjtorët falë vuajtjes dhe vdekjes [së Tij në kryq]? Zoti ynë i gjakosur ka çelësin e qiellit; atë që hap Ai, askush nuk mund ta mbyllë dot. Le të hyjmë, pra, bashkë me Të në vendet qiellore dhe le të ulemi atje bashkë me Të, derisa armiqtë tanë të përbashkët të bëhen stoli i këmbëve të Tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin