“Këtë thotë Ameni.”
Zbulesa 3:14
Fjala “Amen” vërteton solemnisht atë që u tha deri në këtë pikë, dhe Jezusi është Vërtetuesi i madh; “Ameni” është përjetë i pandryshueshëm në të gjitha premtimet e Tij. Mëkatar, dëshiroj të të ngushëlloj me këtë meditim. Jezu Krishti tha: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28). Nëse shkon te Jezusi, Ai do t’i thotë “Amen” shpirtit tënd; premtimi i Tij do të vërtetohet për ty. Në ditët kur ishte në mish, Ai tha: “Kallamin e përkulur nuk do ta thyejë” (Mateu 12:20). O zemër e gjorë, e thyer dhe e copëtuar, nëse shkon tek Ai, ka për të të thënë “Amen” edhe ty, dhe kjo do të vërtetohet në shpirtin tënd, ashtu siç ka ndodhur në qindra raste në vitet e kaluara!
I krishterë, vallë a nuk të ngushëllon fort edhe ty fakti se nuk ka as dhe një fjalë që të ketë dalë prej gojës së Shpëtimtarit, të cilën Ai ta ketë marrë ndonjëherë mbrapsht? Fjalët e Jezusit do të qëndrojnë edhe atëherë kur toka dhe qielli të mos jenë më. Edhe sikur të rrokësh një gjysmë premtimi, ke për ta parë se do të vërtetohet. Ruaju nga ata që i shpërfillin premtimet, dhe kështu, nuk e shijojnë një pjesë të madhe të ngushëllimit që na jep Fjala e Perëndisë!
Jezusi është Po-ja dhe Ameni në të gjitha ofiqet e Tij. Ai ishte një herë e një kohë Prift për të falur dhe pastruar; edhe sot është Amen si Prift. Ai ishte Mbret për të sunduar dhe mbretëruar për popullin e Tij, dhe për t’i mbrojtur ata me krahun e Tij të fuqishëm; Ai është Mbreti Amen, i njëjtë tani e përjetë. Ai ishte Profet së lashti, për të parathënë gjërat e mira që do të ndodhnin; fjalët e Tij mbeten të besueshme dhe të vërteta—Ai është Profeti Amen. Ai është Ameni për meritën e gjakut të Tij; Ai është Ameni për vetë drejtësinë e Tij. Ajo rrobë e shenjtë do ta ruajë bukurinë dhe lavdinë e saj edhe kur natyra të kalbet. Ai është Ameni në çdo titull të Tij; si Bashkëshorti yt, që kurrë nuk do të ndahet prej teje; si Miku yt, që të gjendet më pranë sesa një vëlla; si Bariu yt, që do të jetë me ty edhe në luginën e hijes së vdekjes; si Ndihma dhe si Çliruesi yt; si Streha dhe si Kalaja jote e Fortë; si Briri i fuqisë sate, si besimi dhe gëzimi yt, si e gjitha në gjithçka për ty, dhe së fundi, si Po-ja dhe Ameni në të gjitha gjërat.
© dritez.al 2024