nentor 19

Nëntor 2022


Secili prej nesh ka nevojë për ndihmë. Ne nuk jemi Perëndi. Ne kemi nevoja, kemi dobësi, pështjellim, kemi kufizime të shumëllojshme. Ne kemi nevojë për ndihmë.

Ama secili prej nesh ka edhe diçka tjetër: Ne kemi mëkate. Për pasojë, thellë në zemër e dimë se nuk e meritojmë ndihmën që na nevojitet. Dhe kështu ndihemi të zënë në kurth.

Kam nevojë për ndihmë që ta jetoj jetën, që të përballoj vdekjen dhe të ballafaqohem me përjetësinë–kam nevojë për ndihmë me familjen time, me bashkëshorten time, me fëmijët e mi, me vetminë dhe punën time, me shëndetin dhe me financat e mia. Kam nevojë për ndihmë, por nuk e meritoj ndihmën për të cilën kam nevojë.

Prandaj, çfarë mund të bëj? Mund të përpiqem të mohoj gjithçka dhe të shtirem si supermen apo supergrua, që nuk ka nevojë për kurrfarë ndihme. Ose mund të përpiqem që të mos ia vë veshin asgjëje dhe ta zhyt jetën time në një pellg kënaqësish sensuale. Ose thjesht mund t’i dorëzohem paralizës së dëshpërimit.

Ama mbi këtë situatë të pashpresë, Perëndia deklaron: Jezu Krishti u bë Kryeprift për ta shkatërruar atë dëshpërim me shpresë, për ta përulur atë supermen apo supergrua, dhe ta shpëtojë atë mjeran që po mbytet.

Po, ne të gjithë kemi nevojë për ndihmë. Po, asnjë nga ne nuk e meriton ndihmën që kemi nevojë. Por ne i themi jo dëshpërimit, krenarisë dhe shthurjes. Ja çfarë thotë Perëndia: për shkak se kemi një Kryeprift të madh, froni i Perëndisë është një fron hiri. Ndihma që kemi nevojë në atë fron hiri, është mëshira dhe hiri për të na ndihmuar në kohë nevoje. Hir për të ndihmuar! Jo një ndihmë e merituar–por një ndihmë e hirshme. Ja pse Kryeprifti, Jezu Krishti, e derdhi gjakun e Tij.

Ti nuk je zënë në kurth. Thuaji jo asaj gënjeshtre. Ne kemi nevojë për ndihmë. Nuk e meritojmë, por mund ta kemi atë. Mund ta kesh ndihmën tani dhe përjetë, nëse e pranon dhe beson në Kryepriftin tënd, Jezusin, Birin e Perëndisë, dhe i afrohesh Perëndisë përmes Tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia