nentor 20

Nëntor 2022


Si është vdekja “fitim”?

1) Shpirtrat tanë do të bëhen të përsosur (Hebrenjve 12:22-23).

Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, edhe morisë së engjëjve, kuvendit të përgjithshëm dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur.

Nuk do të ketë më mëkat në ne. Do të kemi mbaruar punë me luftën e brendshme, si dhe me zhgënjimet shpirtcopëtuese të ofendimit të Zotit, që na deshi dhe e dha veten e Tij për ne.

2) Ne do të çlirohemi nga dhimbja e kësaj bote (Luka 16:24-25).

Gëzimi i ringjalljes nuk do të jetë akoma gëzimi ynë, por gëzimi i lirisë nga dhimbja do të jetë i yni. Jezusi tregon historinë e Llazarit dhe pasanikut për të treguar përmbysjen e madhe që do të vijë pas vdekjes.

“Atëherë ai bërtiti dhe tha: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.’ Por Abrahami tha: ‘O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, po ashtu Llazari të këqijat; ndërsa tashti ai po përdëllehet këtu dhe ti vuan.’”

3) Neve do të na jepet një prehje e thellë në shpirtin tonë (Zbulesa 6:9-11).

Do të përjetojmë një qetësi nën syrin dhe kujdesin e Perëndisë, e cila ia kalon çdo gjëje që kemi njohur këtu mbi tokë gjatë mbrëmjes më të këndshme verore apo buzë liqenit më të qetë në çastet tona më të lumtura.

Pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin; dhe ata bërtitën me zë të madh, duke thënë: “Deri kur, o Zotëri, o i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata, që banojnë mbi dhe?” Dhe secilit iu dhanë petka të bardha dhe iu thanë që të preheshin ende për pak kohë.

4) Ne do të përjetojmë një ndjesi të thellë se jemi në shtëpi (2 e Korintasve 5:8)

Por ne kemi zemër dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë pranë Zotit.

Të gjithë njerëzimin e ka pushtuar malli për të qenë në shtëpi me Perëndinë, madje pa e ditur. Kur të shkojmë në shtëpi te Krishti, do të përjetojmë një kënaqësi që ia kalon çdo ndjesie sigurie dhe paqeje që kemi përjetuar ndonjëherë.

5) Ne do të jemi me Krishtin (Filipianëve 1:21-23).

Krishti është më i mrekullueshëm se kushdo tjetër mbi tokë. Ai është më i urtë, më i fortë dhe më i mirë se kushdo me të cilin kënaqeni të kaloni kohë. Krishti është pafundësisht interesant. Ai e di saktësisht se çfarë të bëjë dhe çfarë të thotë në çdo çast për t’i bërë miqtë e tij sa më të gëzuar që të jetë e mundur. Krishti është i tejmbushur me dashuri dhe me një urtësi të pafundme për mënyrën se si mund ta përdorë atë dashuri për t’i bërë njerëzit e Tij të dashur të ndihen kështu. Prandaj Pali thotë:

Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por në qoftë se të jetuarit në mish bën që puna ime të sjellë fryt, atëherë nuk di ç’të zgjedh; sepse unë jam i shtrënguar nga të dyja; kam dëshirë të ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin, shumë herë më mirë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>