Kallamin e përkulur nuk do ta thyejë dhe kandilin që bën tym nuk do ta shuajë.
Mateu 12:20
A ka gjë më të dobët sesa një kallam i përkulur dhe një kandil që bën tym? Kallami rritet në kënetë, dhe mjafton që një rosë e egër të qëndrojë mbi të, dhe ai thyhet. Mirëpo, në qoftë se këmba e njeriut shkel mbi të, jo vetëm që thyhet, por edhe copëtohet; çdo erë që fryn përgjatë lumit, e lëviz sa andej-këndej. Nuk ekziston asgjë tjetër më e brishtë, më e thyeshme apo më e rrezikuar sesa një kallam i përkulur. Pa shih edhe kandilin që bën tym—po ai çfarë është? Është e vërtetë që ka një shkëndijë brenda vetes, por pothuajse është fikur; madje edhe firoma e një foshnjeje mund ta shuajë; pra, nuk ka asgjë më të pasigurt sesa flaka e tij.
Pra, këtu na përshkruhen disa gjëra të dobëta; por Jezusi thotë për to: “Kandilin që bën tym nuk do ta shuaj dhe kallamin e përkulur nuk do ta thyej.” Disa nga fëmijët e Perëndisë janë forcuar për të kryer vepra të fuqishme për Të. Në fakt, Perëndia ka aty-këtu Sansonët e Tij, të cilët mund t’i shkulin portat e Gazës dhe t’i ngrenë e t’i çojnë ato deri në majë të malit. Ai madje ka edhe disa kreshnikë, burra zemërluanë, por shumica e popullit të Tij janë një racë njerëzish të druajtur e fërgëllues. Ata janë si garguj, i druhen çdo kalimtari; janë si një tufë e vogël frikacake. Kur vjen tundimi, ata zihen si zogj në kurth; nëse u kanoset një sprovë, janë gati të humbin ndjenjat. Në brishtësinë e tyre, ata lëkunden lart e poshtë nga çdo dallgë; enden si pulëbardha mbi kreshtat e valëve—duke qenë gjëra të dobëta, pa fuqi, pa urtësi dhe pa largpamësi. Megjithatë, meqenëse janë të dobët, madje për shkak se janë kaq të dobët, ky premtim është bërë posaçërisht për ta.
Ja ku janë hiri dhe mirësia! Ja ku janë dashuria dhe dashamirësia! Sa bukur na e shpalos ky premtim dhembshurinë e Jezusit—kaq zemërbutë, e dashur dhe e kujdesshme! Kurrë nuk duhet t’i zmbrapsemi prekjes së Tij. Kurrë nuk duhet t’i druhemi ndonjë fjale të ashpër të thënë prej Tij; sepse megjithëse mund të na qortojë për dobësitë tona, nuk na hedh poshtë. Ai nuk do t’i godasë kallamat e përkulur dhe as do të shfryjë me frymë të ftohtë mbi kandilin që bën tym.
© dritez.al 2024