Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e ZOTIT.
Mikea 5:4
Krishti mbretëron mbi Kishën e Tij si një mbret-bari. Ai gëzon epërsinë që i takon një mbreti, por kjo është, në fakt, epërsia e një bariu të urtë e zemërbutë mbi tufën e Tij të dashur e nevojtare. Ai kërkon dhe merr bindje, por kjo është bindja e vullnetshme e deleve të mbarështuara, të cilën ia falin me gëzim Bariut të tyre të dashur, zërin e të cilit e njohin kaq mirë. Ai sundon përmes forcës së dashurisë dhe energjisë së mirësisë.
Mbretërimi i Tij është praktik në karakterin e vet. Na thuhet: “Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij”. Kreu i madh i Kishës përfshihet aktivisht për të siguruar për popullin e Vet. Ai nuk qëndron ulur mbi fron pa bërë asgjë dhe as mban një skeptër pa e përdorur atë për të qeverisur. Jo, Ai ngrihet dhe e kullot popullin e Vet. Termi “kullot” në gjuhën origjinale është i ngjashëm me një term analog në greqisht, i cili do të thotë të bësh gjithçka që pritet prej një bariu: të udhëheqësh, të ruash, të mbrosh, të mrizosh delet, si dhe t’i ushqesh e të përkujdesesh për to.
Mbretërimi i Tij është i pandërprerë për nga kohëzgjatja. Na thuhet: “Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij”, dhe jo: “Ai do t’i ushqejë herë pas here, por nuk do ta mbajë gjatë gjithë kohës pozitën e tij”, por as nuk thuhet: “Një ditë Ai do të nxisë një rizgjim dhe pastaj ditën tjetër do ta lërë Kishën e Tij të endet në djerrinë.” Sytë e Tij nuk dremisin kurrë dhe duart e Tij nuk pushojnë asnjëherë; zemra e Tij nuk pushon së rrahuri me dashuri, ndërsa supet e Tij nuk lodhen asnjëherë së mbajturi barrët e popullit të Vet.
Mbretërimi i Tij është efektshmërisht i fuqishëm në veprimin e tij: “Ai do të … për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e ZOTIT.” Kudo ku ndodhet Krishti, është edhe Perëndia; dhe çfarëdo që bën Krishti, është edhe vepra e Shumë të Lartit. Është një e vërtetë e gëzueshme që të konsiderosh se Ai që qëndron sot duke përfaqësuar interesat e popullit të Vet, është Perëndi prej Perëndie, përpara të cilit do të përkulet çdo gju! Lum si ne që i përkasim një bariu të tillë, natyra njerëzore e të cilit është në përbashkësi me ne, ndërkohë që natyra hyjnore e të cilit na mbron! Ejani të adhurojmë dhe të përkulemi përpara Tij si populli i kullotës së Tij!
© dritez.al 2024