spurgeon dev 19 gusht pm
August 2023

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je fuqia ime.

Psalmi 31:4

Armiqtë tanë frymërorë i përkasin racës së nepërkës dhe përpiqen të na zënë në grackë me dinakëri. Kjo lutje që kemi përpara, parashikon mundësinë që besimtari të bjerë në grackë porsi një zog. Gjahtari i shpendëve e bën punën e vet me kaq mjeshtëri, saqë mendjelehtët bien shpejt në rrjetë. Lutja e këtij vargu kërkon që preja të çlirohet madje edhe prej vetë leqeve të Qoftëlargut. Ky është një përgjërim i mirëfilltë, i cili do të marrë përgjigje pozitive: dashuria e përjetshme mund ta shpëtojë shenjtorin nga nofullat e luanit dhe nga thellësitë e ferrit. Mund të nevojitet një tërheqje e fuqishme për ta shpëtuar një shpirt nga rrjeta e tundimeve, dhe një tërheqje e fortë për ta çliruar një njeri nga kurthet e dinakërisë së ligë, por Zoti është i aftë për t’i dhënë zgjidhje çdo situate urgjente, madje edhe rrjetat e vëna me mjeshtërinë më të madhe nga gjahtari nuk do të jenë aq të forta, sa t’i mbajnë brenda tyre të zgjedhurit e Tij. Mjerë ata që janë mjeshtra për vendosjen e rrjetave; ata që tundojnë të tjerët, do të shkatërrohen për vete!

“Sepse ti je fuqia ime.” Çfarë inkurajimi i mrekullueshëm gjendet në këto pak fjalë! Me sa hare që mund t’i përballojmë mundimet dhe me sa gëzim mund t’i durojmë vuajtjet kur mund të kapemi fort pas fuqisë së Zotit! Fuqia hyjnore do t’i bëjë copë e çikë të gjitha orvatjet e armiqve tanë, do të ngatërrojë politikat e tyre dhe do t’i bëjë të dështojnë rrengjet e tyre të pamenda. Lum si ai që ka një fuqi kaq të pashoqe të angazhuar në krahun e tij! Fuqia jonë nuk do të na hyjë aspak në punë kur të biem në rrjetat e armikut tonë dinak, por fuqia e Zotit është gjithnjë në dispozicion. Mjafton që të kërkojmë, dhe do ta gjejmë atë pranë nesh. Në qoftë se mbështetemi përmes besimit vetëm në fuqinë e Perëndisë së pushtetshëm të Izraelit, atëherë mbështetja jonë mund të bëhet shkaku për lutjet tona.

Zot, fytyrën Tënde më fort kërkojmë:
Jemi të tunduar, të varfër dhe të dobët;
Na ruaj zemërpërulur dhe zemërbutë;
Të rrëzohemi mos na lër. Të rrëzohemi mos na lër.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>