spurgeon dev 19 dhjetor am
December 2023

Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo vendim varet nga Zoti.

Fjalët e Urta 16:33

Në qoftë se rezultati i shortit varet nga Zoti, prej kujt varet vallë rregullimi i gjithë jetës sonë? Në qoftë se vetë hedhja e shortit drejtohet prej Tij, atëherë aq më shumë do të vlejë kjo rregull për rrethanat e mbarë jetës sonë—veçanërisht kur Shpëtimtari ynë i bekuar na thotë: “...edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela” (Mateu 10:30-31). Mik i dashur, kjo e vërtetë do t’i falte paqe të shenjtë mendjes sate nëse do ta kujtoje vazhdimisht! Do ta çlironte mendjen tënde nga ankthi dhe do të të aftësonte që të ecje me durim, paqe dhe hare, pikërisht ashtu siç i takon një të krishteri. Kur njeriu shqetësohet, nuk mund të lutet me besim; ai nuk mund t’i shërbejë dot Mësuesit të Tij atëherë kur e vret mendjen për botën, sepse mendimet e tij i shërbejnë vetëm vetes.

Në qoftë se “para së gjithash [do të] kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij” (Mateu 6:33), të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. Nëse shqetësohesh për shortin tënd dhe rrethanat e jetës sate, po ngatërrohesh me punët e Krishtit dhe po lë pas dore të tuat. Je përpjekur të sigurosh dhe ke harruar që të bindesh. Ji i mençur dhe kujdesu për bindjen, dhe lërja Krishtit të merret me sigurimin. Eja e këqyre magazinën e Atit tënd, dhe pyete veten nëse do të të lërë të vdesësh urie, kur Ai ka një bollëk kaq të madh të mirash në hambarët e Tij.

Pa vështroje pak zemrën e Tij mëshiruese; shih nëse mund të të trajtojë keq ndonjëherë! Pa vështroje pak urtësinë e tij të panjohshme; shiko nëse mund të gabojë ndonjëherë. Mirëpo, mbi të gjitha, vështro Jezu Krishtin, Ndërmjetësuesin tënd, dhe pyete veten teksa Ai e mbron çështjen tënde: A ia bën zemra Atit tënd të sillet në mënyrë të pahirshme me ty? Në qoftë se Ai kujtohet madje edhe për harabelat, a mund ta harrojë vallë ndonjërin prej fëmijëve të Tij më të vegjël? “Hidh mbi ZOTIN barrën tënde dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet” (Psalmi 55:22).

Shpirti im, kënaqu me gjendjen tënde të vështirë,
Mos shpreso a dëshiro të çmohesh, a të bësh më lart;
Të marrësh vulën e Vullnetit Hyjnor,
Qoftë kjo lavdia dhe pasuria jote përgjithmonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin