spurgeon dev 19 dhjetor pm
December 2023

Deti nuk është më.

Zbulesa 21:1

Zor se do të mund të na gëzonte mendimi i humbjes së të lashtit oqean të lavdishëm: për përfytyrimin tonë, dheu dhe qielli i ri nuk do të ishin tërheqës nëse, në të vërtetë, do t’u mungonte deti i madh e i gjerë, me valët e tij rrëzëlluese dhe brigjet me rërë. Vallë, a nuk duhet lexuar vargu si një metaforë e përzier me paragjykimin me të cilin mbarë botëkuptimi lindor e shihte detin në kohët e lashta?

Një botë e vërtetë fizike pa detin është një ide e trishtueshme; një gjë e tillë do të ngjasonte me një unazë hekuri, së cilës i mungon safiri që e bënte të çmuar. Ky fakt duhet të ketë patjetër një domethënie frymërore. Në hirdhënien e re nuk do të ketë më ndarje—[në kohën tonë] deti ndan kombet dhe njerëzit nga njëri-tjetri. Për Gjonin në Patmos, ujërat e thella ishin si mure burgu, të cilat e mbanin larg vëllezërve dhe punës së tij: nuk do të ketë pengesa të tilla në botën që po vjen. Milje e milje të tëra dallgësh shkumëzuese gjenden mes nesh dhe të afërmve tanë, të cilët i kujtojmë sonte në lutje, por në botën e shndritshme, në të cilën do të shkojmë, do të ketë përbashkësi të pandërprerë për gjithë familjen e të shpenguarve. Në këtë kuptim, deti nuk do të jetë më.

Deti është simboli i ndryshimit; me baticat dhe zbaticat e tij, me sipërfaqen e lëmuar si prej vaji dhe shkulmat e tij vigane, me shushuritjet e tij të ëmbla dhe gjëmimet e potershme, ai nuk qëndron asnjëherë i njëjtë për periudha të gjata. Paqëndrueshmëria e tij është proverbiale, meqenëse është skllavi i erërave tekanjoze dhe i hënës së ndryshueshme. Në shtegtimin tonë tokësor, ne ngjasojmë shumë me detin; dheu është i pandryshueshëm vetëm në ndryshueshmërinë e tij. Mirëpo, kur të hyjmë në gjendjen qiellore, nuk do të njohim ndryshime të dhimbshme dhe nuk do të përjetojmë asnjë frikë nga stuhitë që mund t’i shkatërrojnë shpresat tona dhe që mund t’i mbysin gëzimet tona. Deti i qelqtë shkëlqen me një lavdi që nuk prishet nga asnjë valë. Nuk ka stuhi që të ulërijë gjatë brigjeve plot paqe të parajsës.

Shumë shpejt do ta arrijmë atë tokë të lumtur, ku ndarjet, ndryshimet dhe stuhitë do të marrin fund! Jezusi do të na drejtojë atje. A jemi në Të, apo jo? Kjo është madhështorja pyetje.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin