spurgeon dev 18 am
October 2023

Gjurmët [shtigjet] e tua dallohen nga bollëku i të mirave.

Psalmi 65:11

Të shumta janë shtigjet e Zotit që dallohen nga bollëku i të mirave, por më i veçanti prej tyre është shtegu i lutjes. Një besimtar që kalon shpesh kohë në kthinën e lutjes, nuk ka pse të thërrasë: “...dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje” (Jobi 16:8). Shpirtrat që vdesin urie, jetojnë larg fronit të mëshirës dhe bëhen si fushat e përcëlluara nga dielli në kohë thatësire. Nuk ka mjet më të mirë për ta forcuar, në mos për ta bërë të lumtur besimtarin, sesa përleshja e vazhdueshme me Perëndinë në lutje. Vendi më i afërt pranë portave të qiellit është froni i hirit qiellor. Në qoftë se kalon kohë vetëm për vetëm me Jezusin, do të kesh shumë siguri; nëse bën të kundërtën, besimi yt do të jetë sipërfaqësor, i ndotur me shumë dyshime dhe frikëra, dhe nuk do të shkëlqejë nga gëzimi i Zotit. Shtegu shpirtpasurues i lutjes është i hapur edhe për besimtarin më të dobët, duke qenë se nuk kërkohen arritje të larta, përderisa nuk je ftuar të vish sepse je një shenjtor i pjekur, por je ftuar të vish lirisht, thjesht për faktin që je shenjtor. Prandaj, bëj kujdes, lexues i dashur, që të jesh shpesh në vendin ku kalon kohë vetëm për vetëm me Zotin! Qëndro rregullisht në gjunjë, sepse në këtë mënyrë, Elia arriti ta tërhiqte shiun mbi fushat e përcëlluara të Izraelit! 

Është edhe një shteg tjetër i veçantë që dallohet nga bollëku i të mirave të Tij për ata që ecin në të. Kjo është ecja e fshehtë e përbashkësisë, e cila na ofron kënaqësitë e miqësisë me Jezusin! Toka nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë paqen e shenjtë të shpirtit që mbështetet te Jezusi. Pak të krishterë e kuptojnë atë; ata jetojnë në fushëtirë dhe rrallë ngjiten deri në majën e malit; ata jetojnë në oborrin e jashtëm dhe nuk futen asnjëherë në vendin e shenjtë; nuk e shfrytëzojnë privilegjin e priftërisë. E shohin flijimin nga larg, por nuk ulen me priftin për të ngrënë vaktin dhe për të shijuar bollëkun e të mirave.

Mirëpo, lexues, mëso të ulesh përherë nën hijen e Jezusit; ngjitu tek ajo pemë palme dhe kapu fort pas degëve të saj! Qoftë I Dashuri yt për ty si pema e mollës mes drunjve të pyllit, dhe ti do të kënaqesh me mirësi dhe bollëk! Eja, Zot Jezus, dhe na vizito me shpëtimin Tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>