“Ja, bindja është më e mirë se flijimi.”
1 i Samuelit 15:22
Sauli ishte urdhëruar t’i shfaroste amalekitët deri në njeriun dhe bagëtinë e fundit. Në vend që të vepronte kështu, ai e la gjallë mbretin e tyre dhe i lejoi njerëzit e tij të merrnin pjesën më të mirë të qeve dhe deleve. Kur iu kërkua llogari për këtë gjë, tha se e bëri me qëllim që t’i ofronte flijime Perëndisë; mirëpo, Samueli e takoi menjëherë dhe i tha me plot bindje se flijimet nuk e shfajësonin për këtë akt rebelimi të pastër.
Vargu përpara nesh meriton të shkruhet me germa floriri dhe të afishohet përpara syve të brezit të sotëm idhujtar, pjesëtarët e të cilit janë shumë të dhënë pas pispillosjeve të bindjes në dukje, por që i shpërfillin plotësisht ligjet e Perëndisë. Ngulite në mendje njëherë e mirë se zbatimi pa kompromis i urdhrit të Shpëtimtarit është më i mirë sesa çdo formë e jashtme adhurimi; dhe se dëgjimi i porosive të Tij me një vesh të vëmendshëm është më i mirë sesa flijimi i kafshëve ose ofrimi i gjërave të tjera të çmuara mbi altarin e Tij.
Në qoftë se nuk po arrin t’u bindesh edhe urdhërimeve më të vogla që Krishti u dha dishepujve të Vet, të përgjërohem të mos vazhdosh më tej në mosbindje. Të gjitha pretendimet e tua për dashurinë e madhe që ke për Mësuesin dhe të gjitha veprat e devotshme që mund të bësh, nuk e shlyejnë dot mosbindjen tënde. “Bindja” edhe në gjërat më të vogla e më të parëndësishme është “më e mirë se flijimi”, sado i madh e i bukur qoftë ai. Harroji këngët gregoriane, petkat shumë të shtrenjta, temjanin dhe bajrakët; gjëja e parë që kërkon Perëndia nga fëmija i Tij, është bindja. Madje edhe po ta jepje trupin tënd të digjej dhe ta falje gjithë pasurinë tënde që të ushqeje skamnorët, po të mos i zbatoje urdhërimet e Zotit, nuk do të kishe pikë dobie nga të gjitha formalitetet e tua.
Është një bekim i vërtetë kur je i hapur për të mësuar si një fëmijë i vogël, por është një bekim edhe më i madh kur, ai që e ka nxënë mësimin, e vë atë në praktikë deri në pikën e fundit. Sa të shumtë janë ata që i zbukurojnë tempujt e tyre dhe i stolisin priftërinjtë e tyre, por megjithatë refuzojnë t’i binden fjalës së Zotit! Shpirti im, mos u bëj pjesë e mashtrimit të tyre!
© dritez.al 2024