“Bëmë të ditur pse grindesh me mua.”
Jobi 10:2
O shpirt i munduar, mbase Zoti po e bën këtë me ty për të rritur virtytet e tua. Janë disa nga virtytet e tua, të cilat zor se do t’i kishe zbuluar, po të mos kaloje mes sprovave. A nuk e di ti vallë që besimi yt nuk duket asnjëherë aq mirë në verë, sesa duket në dimër? Dashuria i ngjan shumë shpesh xixëllonjës e cila mezi shquhet, po të mos rrethohet nga errësira.
Vetë shpresa është si një yll—që është i padukshëm në rrezet e diellit të begatisë, por që mund të shihet vetëm në terrin e ngushticës. Mundimet janë rëndom si ai mëndafshi i zi, në të cilin Perëndia vendos xhevahiret e virtyteve të fëmijëve të Tij, me qëllim që ato të shkëlqejnë më tepër. Nuk ka kaluar shumë kohë, qëkurse ti, i ulur në gjunjë, i thirre Zotit: “Zot, druhem se nuk kam pikë besimi. Bëj që ta di nëse kam besim!”. Vallë, a nuk ishte kjo në të vërtetë një lutje, megjithëse ndoshta e pavetëdijshme, për sprova besimi? Në fakt, si mund ta marrësh vesh se ke besim, po nuk e vure në punë këtë të fundit? Mbështetu në të—Perëndia shpesh na dërgon sprova, që të mund të zbulohen virtytet tona dhe që ne të mund të sigurohemi për ekzistencën e tyre. Për më tepër, sprovat e shenjtëruara nuk sjellin vetëm zbulimin e virtyteve, por edhe rritjen e vërtetë në hir.
Shpesh Perëndia na privon nga rehatia dhe privilegjet tona, me qëllim që të na bëjë të krishterë më të mirë. Ai nuk i stërvit ushtarët e Tij në shatorre të rehatshme e luksoze, por i kalit ata duke i larguar prej tyre dhe i bërë që të ndërmarrin marshime të gjata dhe shërbime të vështira. Ai i bën ata të kapërcejnë përrenj, të notojnë nëpër lumenj, të ngjisin male dhe të marshojnë për kilometra të tërë, duke mbajtur mbi shpinë çanta të rënda të mbushura plot dhimbje. E po mirë, o i krishterë, a nuk është ky një shpjegim i mirë për vështirësitë që po kalon? A nuk është Zoti duke nxjerrë në pah virtytet e tua dhe a nuk po i rrit ato? A nuk është vallë kjo arsyeja se përse po grindet me ty?
Sprovat i bëjnë më t’ëmbla premtimet;
Sprovat i japin jetë të re lutjes;
Sprovat më sjellin te këmbët e Tij,
Më përulin dhe më mbajnë aty poshtë.
© dritez.al 2024