spurgeon dev 18 qershor am
Qershor 2023

Shpengimtari yt.

Isaia 54:5

Jezusi, Shpengimtari, është i gjithi yni dhe përgjithnjë yni. Të gjitha ofiqet e Krishtit ushtrohen për ne. Ai është Mbret për ne, prift për ne dhe profet për ne. Sa herë që lexojmë një titull të ri të Shpengimtarit, le ta bëjmë Atë tonin me këtë emër, ashtu siç kemi bërë edhe me emrat e tjerë. Kërraba e bariut, bastuni i atit, shpata e kapitenit, mitra e priftit, skeptri i princit, manteli i profetit—të gjitha këto janë tonat. Nuk ka pikë dinjiteti të cilën Jezusi nuk do ta vërë në punë për lartësimin tonë, dhe asnjë të drejtë të posaçme të cilën nuk do ta ushtrojë në mbrojtjen tonë. Plotësia e Hyjnisë së Tij është thesari ynë i vërtetë dhe i pashtershëm.

Po ashtu, njerëzia e Tij, të cilën Ai e mori mbi Vete pikërisht për ne, është e jona në gjithë përsosmërinë e saj. Zoti ynë i hirshëm na komunikon virtytin e patëmetë të një karakteri të panjollë; na fal efektshmërinë meritëplotë të një jete të përkushtuar, si dhe na jep shpërblimin e siguruar nga nënshtrimi i bindur dhe shërbimi i vazhdueshëm. Ai e kthen veshjen e përsosur të jetës së Vet në mantelin tonë të bukur, virtytet e ndritshme të karakterit të Tij i bën stolitë dhe xhevahiret tona, si dhe zemërbutësinë mbinjerëzore të së Tijës vdekje e kthen në mburrjen dhe lavdinë tonë.

Ai na lë trashëgim grazhdin e Tij, prej të cilit mësojmë se si Perëndia zbriti poshtë te njeriu, por edhe Kryqin e Tij për të na mësuar se si mund të ngjitet njeriu lart deri te Perëndia. Të gjitha mendimet, emocionet, veprimet, fjalët, mrekullitë dhe lutjet e Tij ndërmjetësuese ishin për ne. Ai eci përgjatë udhës së pikëllimit në vendin tonë, dhe na ka lënë si trashëgimi hyjnore rezultatin e plotë të të gjitha mundimeve të jetës së Tij. Ai është tani po aq yni sa do të jetë ndonjëherë; dhe nuk heziton të njihet anembanë si “Zoti ynë Jezu Krisht”, megjithëse është i vetmi dhe i lumi Sundimtar, Mbreti i mbretërve, Zoti i zotërve. Kudo dhe në çdo mënyrë, Krishti është yni, për t’u gëzuar për jetë e mot dhe sa më shumë të jetë e mundur.

O shpirti im, këtë mëngjes, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, quaje Atë “Shpengimtarin tënd”!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin