spurgeon dev 18 qershor pm
Qershor 2023

Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime.

Kënga e Këngëve 5:1

Zemra e besimtarit është kopshti i Krishtit. Ai e bleu me gjakun e Tij të çmuar, dhe Ai hyn atje dhe e shpall si të Vetin. Një kopsht nënkupton një vend të ndarë. Nuk është një fushë e hapur; nuk është një shkretëtirë; ai është i rrethuar me mure apo me gardh me shkurre. Ah, sa mirë do të ishte sikur ta shikonim murin e ndarjes në mes kishës dhe botës të bëhej gjithnjë e më i gjerë e më i fortë! Trishtohesh kur i dëgjon të krishterët të thonë: “E po ç’të keqe ka në këtë; nuk ka asnjë të keqe në atë”, duke u bërë kështu gjithnjë e më të ngjashëm me botën. Hiri prek vërtet pikën më të ulët në shpirtin që gjithmonë guxon të shtrojë pyetjen se deri në ç’pikë mund të përshtatet me këtë botë.

Kopshti është një vend bukurie; ia tejkalon për nga bukuria tokës së shkretë apo djerrinë. I krishteri i vërtetë duhet të përpiqet që, në jetën e tij, të jetë më i përkryer sesa moralisti më i rreptë, sepse kopshti i Krishtit duhet të prodhojë lulet më të bukura në të gjithë botën. Madje edhe më i miri është i mangët në krahasim me atë që meriton Krishti; bëjmë mirë të mos e zhgënjejmë Atë me lule të vyshkura a të parritura mirë. Zambakët dhe trëndafilat më të zgjedhur, më të bukur dhe më të rrallë, duhet të lulëzojnë në vendin që Jezusi e quan të Tijin.

Kopshti është një vend rritjeje. Besimtari nuk duhet të mbetet i pazhvilluar, përherë sythe dhe gonxhe të paçelura. Duhet të rritemi në hir dhe në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Rritja duhet të jetë e shpejtë aty ku Jezusi është kopshtari, ndërsa Fryma e Shenjtë vesa që bie nga lart.

Kopshti është një vend tërheqjeje në vetmi. Pra, Zoti Jezu Krisht dëshiron që t’i rezervojmë shpirtrat tanë si një vend ku Ai mund të shfaqet, ashtu si nuk i shfaqet kurrë botës. Si të krishterë, ne duhet të jemi shumë më të zellshëm për t’i mbajtur zemrat tona të mbyllura fort për Krishtin! Shpesh shqetësohemi dhe e zëmë veten me shumë punë e shërbesa porsi Marta, por kjo bën që të mos i përkushtohemi Krishtit ashtu siç bënte Maria, dhe të mos ulemi te këmbët e Tij siç duhet të bëjmë. Zoti na dhëntë shirat e ëmbël të hirit të Tij për të vaditur kopshtin e Vet sot!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin