Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqërremë.
Jozueu 2:21
Shpëtimi i Rahabit varej nga premtimi i spiunëve, të cilët ajo grua i konsideronte si përfaqësues të Perëndisë së Izraelit. Besimi i saj ishte i thjeshtë dhe i palëkundur, dhe po ashtu, edhe me një bindje të fortë. Lidhja e kordonit të kuqërremtë në dritare ishte një veprim i parëndësishëm në vetvete, por ajo nuk guxoi të rrezikonte duke mos e bërë një gjë të tillë.
Eja, shpirti im! A nuk e dallon dot vallë një mësim në këtë varg? A je treguar i kujdesshëm në bërjen e gjithë vullnetit të Zotit tënd, edhe pse disa prej urdhëresave të Tij mund të të duken jo edhe aq të rëndësishme? Ai i ke zbatuar ashtu siç do Ai dy urdhëresat, atë të pagëzimit të besimtarëve dhe të Darkës së Zotit? Lënia pas dore e këtyre dy urdhëresave tregon se në zemrën tënde ka mosbindje dhe mungesë dashurie. Sot e tutje, ji i paqortueshëm në të gjitha gjërat, madje edhe në lidhjen e kordonit nëse një gjë e tillë të urdhërohet!
Veprimi i Rahabit vë në dukje një mësim edhe më solemn. A kam besuar me gjithë zemër në gjakun e çmuar të Jezusit? A e kam lidhur vallë kordonin e kuqërremë me një nyje të pazgjidhshme në dritaren time, që besimi im të jetë i patundur? Ose e thënë ndryshe, a mund ta hedh vallë vështrimin drejt Detit të Vdekur të mëkateve të mia ose Jerusalemit të shpresave të mia, pa e parë njëherë gjakun dhe pa i parë të gjitha gjërat në prizmin e fuqisë së tij të bekuar?
Kalimtari e shikon lehtësisht një kordon të kësaj ngjyre kaq të dallueshme tek varet nga dritarja, po kështu do të jetë mirë për mua nëse jeta ime e bën efektshmërinë e shlyerjes, të dallueshme për të gjithë ata që më shohin. Në fund të fundit, çfarë ka për të pasur turp këtu? Nëse duan, le t’i hapin mirë sytë njerëz dhe djaj: gjaku është mburrja dhe kënga ime!
Shpirti im, është Dikush që do ta shohë kordonin e kuqërremtë edhe atëherë kur, për shkak të besimit të dobët, ti vetë nuk mund ta shohësh dot. Yahveh-u, Hakmarrësi, do ta shohë dhe do të kalojë sipër teje [pa të prekur]. Muret e Jerikos u rrëzuan duke u shembur, por shtëpia e Rahabit edhe pse ishte mbi mur, prapëseprapë, mbeti aty ku ishte. Kështu edhe natyra ime është ndërtuar në murin e njerëzimit, e megjithatë, kur shkatërrimi ta godasë racën njerëzore, mua nuk do të më prekë dot. Shpirti im, lidhe sërish kordonin e kuqërremtë në dritaren tënde dhe prehu në paqe!
© dritez.al 2024