Prill 2023

Dhe ti the: “Patjetër, unë do të të bëj mirë”.

Zanafilla 32:12

Kur Jakobi gjendej në anën tjetër të përroit Jabok dhe Esau po afrohej me një shpurë burrash të armatosur, Jakobi e kërkoi me gjithë zemër mbrojtjen e Perëndisë dhe baza e përgjërimit të tij ishte kjo: “Dhe ti the: Patjetër, unë do të të bëj mirë.” Oh, çfarë force kishte në atë përgjërim! Ai po i kujtonte Perëndisë premtimin e dhënë—“Ti the.”

Atributi i besnikërisë së Perëndisë është një bri i shkëlqyer altari, që ne të kapemi pas tij; por premtimi i cili e përfshin atributin dhe madje diçka më tepër, është edhe më i fortë se kaq—“Dhe ti the: Patjetër, unë do të të bëj mirë.” Dhe nëse Ai ka thënë, a nuk do ta bëjë vallë realitet Fjalën e Tij? “...qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar” (Romakëve 3:4). A nuk do të jetë i vërtetë Ai vallë? Vallë, a nuk do ta mbajë Ai fjalën e Tij? A nuk do t’i qëndrojë kohës dhe a nuk do të përmbushet çdo fjalë e dalë nga goja e Tij?

Gjatë përurimit të tempullit, Salomoni përdori të njëjtin përgjërim të fuqishëm. Ai iu përgjërua Perëndisë që ta kujtonte fjalën që i kishte dhënë atit të tij, Davidit, dhe ta bekonte atë vend.

Kur dikush nënshkruan një kambial, nderi i tij është në lojë; ai nënshkruan me emrin e tij dhe duhet ta paguajë brenda afatit ose përndryshe humb besueshmërinë [për të marrë kredi të tjera në të ardhmen]. Nuk do të thuhet kurrë se Perëndia i lë pa paguar kambialet e Tij. Krediti i Shumë të Lartit nuk është vënë kurrë në dyshim, dhe as nuk do të vihet ndonjëherë. Ai është i përpiktë deri në të qindtën e sekondës: asnjëherë përpara kohe dhe asnjëherë me vonesë. Hetoje me vëmendje Fjalën e Perëndisë dhe krahasoje me përvojën e popullit të Tij, dhe do të shohësh se të dyja ato përputhen pikë për pikë nga fillimi deri në fund. Shumë nga patriarkët e lashtë kanë thënë bashkë me Jozueun: “...nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që ZOTI, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra përtokë” (Jozueu 23:14).

Nëse keni një premtim hyjnor, nuk duhet të përgjëroheni për realizimin e tij me një “në qoftë se”; por duhet ta kërkoni me siguri. Zoti kishte vendosur që ta përmbushte premtimin e Tij, përndryshe nuk do ta kishte dhënë atë. Perëndia nuk na i jep fjalët e Tij vetëm sa për të na qetësuar dhe për të na mbajtur me shpresa për ca kohë, derisa të na heqë qafe në fund; por kur flet, Ai e bën këtë, sepse e ka ndarë mendjen se do të bëjë ashtu siç ka thënë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin