spurgeon dev 18 korrik am
July 2023

“Ata do të nisen për marshim të fundit, pranë flamujve të tyre.”

Numrat 2:31

Kampi i Danit përbënte praparojën e aradheve të Izraelit kur këto niseshin për marshim. Danitët zinin vendin e fundit, por pozicioni i tyre nuk ishte i parëndësishëm, pasi ata ishin vërtet pjesë e së njëjtës ushtri, si edhe fiset e pararojës. Ata ndiqnin të njëjtën shtyllë reje dhe zjarri, hanin nga e njëjta manë, pinin ujë nga i njëjti shkëmb frymëror, si dhe udhëtonin drejt së njëjtës trashëgimi. Eja, zemra ime, mbushu me gëzim, megjithëse je në vend të fundit dhe më e vogla; është privilegji yt të jesh pjesë e ushtrisë dhe të kalosh përmes të njëjtave përjetime, si edhe ata që udhëheqin ekspeditën. Dikush duhet të jetë i fundit për nga nderimet dhe vlerësimi, dikush duhet të bëjë punë të rëndomta për Jezusin, e pse vallë të mos jem unë ky person? Në një fshat të varfër mes fshatarëve të paditur apo në një rrugicë famëkeqe mes mëkatarëve të shthurur, unë do të vazhdoj punën dhe do të zë vendin që më është caktuar në praparojë. 

Danitët zinin një pozitë shumë të vlefshme. Dikush duhet t’i mblidhte ata që mbeteshin prapa, dhe duhet t’i gjente sendet e humbura të mbetura pas nga fushimi. Frymët e zjarrta mund të rendin me nxitim drejt shtigjeve të pashkelura, për të mësuar të vërteta të reja dhe për të fituar më shumë shpirtra për Jezusin; por disa nga ata me një frymë më konservatore mund të angazhohen dobishëm, për t’i kujtuar kishës besimin e saj të lashtë dhe për të ripërtërirë bijtë e saj të kapitur [nga shtegtimi]. Çdo pozicion shoqërohet nga detyrat e veta, dhe fëmijët e Perëndisë që lëvizin ngadalë, do të zbulojnë se gjendja e tyre e veçantë mund të jetë një bekim i jashtëzakonshëm për mbarë ushtrinë.

Praparoja është po ashtu edhe një vend i rrezikshëm. Armiqtë i kemi përpara, por edhe prapa. Sulmet mund të na vijnë nga çdo drejtim i mundshëm. Lexojmë se Amaleku e sulmoi Izraelin dhe vrau disa nga ata që gjendeshin në praparojë. I krishteri me përvojë do të zbulojë se ka shumë punë për të tijat armë, posaçërisht për t’i ndihmuar ata shpirtra të gjorë dyshues, të dëshpëruar dhe të lëkundur, të cilët janë më të ngadaltë në besim, njohuri dhe gëzim. Këta nuk duhen lënë pa ndihmë, prandaj qoftë detyra e shenjtorëve të mirëmësuar që t’i ngrenë lart flamujtë e tyre mes praparojës. Shpirti im, bëj kujdes sot, që t’i ndihmosh ata që marshojnë të fundit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin