spurgeon dev 18 gusht am
August 2023

Disa të huaj kanë hyrë në shenjtoren e Shtëpisë së Zotit.

Jeremia 51:51

Në këtë rrëfim, turpi kishte mbuluar fytyrat e popullit të Zotit, sepse ishte një mynxyrë e padëgjuar që njerëzit të futeshin me dhunë në Vendin e Shenjtë ku kishin të drejtë të hynin vetëm priftërinjtë. Mirëpo, edhe ne sot, duke parë se ç’po ngjet përreth nesh, kemi një arsye të ngjashme për t’u pikëlluar. Sa burra të paperëndishëm po arsimohen në këtë kohë me synimin për t’u bërë pjesë e shërbesës ndaj Zotit! Çfarë mëkati i kobshëm është gënjeshtra solemne sipas së cilës e gjithë popullsia e vendit tonë është, sa për emër, anëtare e një Kishe Kombëtare*! Sa i frikshëm është fakti që mjetet e hirit u ndahen të pakthyerve në besim, dhe që në gjirin e kishave më të ndriçuara në vendin tonë ekziston një e atillë shthurje e disiplinës. Në qoftë se ata mijëra veta që do ta lexojnë këtë pjesë, do ta çojnë këtë çështje përpara Zotit Jezus sot, Ai me siguri që do të ndërhyjë dhe do ta largojë të keqen, e cila përndryshe do të bjerë mbi Kishën e Vet. Të përçudnosh kishën është si të helmosh një pus, të hedhësh ujë mbi zjarr apo të mbjellësh një fushë pjellore me guriçka. Të gjithë ne paçim hirin e Perëndisë për ta ruajtur siç duhet dëlirësinë e Kishës, duke qenë një asamble besimtarësh dhe jo një komb, pra, një komunitet i pashpëtuar njerëzish të pakthyer në besim! 

Megjithatë, zelli ynë duhet të fillojë brenda mureve të shtëpisë. Le ta shqyrtojmë veten për të parë nëse kemi të drejtë të marrim pjesë në tryezën e Darkës së Zotit. Le të kujdesemi që t’i mbajmë veshur petkat prej dasmori, se mos edhe ne konsiderohemi si të huaj në shenjtoren e Zotit. Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur; rruga është e ngushtë dhe porta është e vogël. Oh, paçim hirin të vijmë te Jezusi ashtu siç duhet, pra, me besimin e të zgjedhurve të Perëndisë! Ai që goditi Uzain ngaqë preku arkën, është shumë xheloz për dy mjetet e Veta të hirit [pagëzimin dhe Darkën e Zotit]. Nëse jam besimtar i vërtetë, mund t’u afrohem atyre lirisht; nëse jam një i huaj, nuk guxoj t’i prek, se përndryshe vdes. Të gjithë ata që janë pagëzuar ose që vijnë te tryeza e Darkës së Zotit, kanë për detyrë ta shqyrtojnë veten. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia” (Psalmi 139:23).

*Shënim i përkthyesit: Autori i referohet këtu faktit që shumica e popullsisë së Anglisë bën pjesë, të paktën sa për emër, në Kishën e Anglisë, apo siç njihet ndryshe Konfesioni Anglikan.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>