spurgeon dev 18 gusht pm
August 2023

Dhe i dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

Marku 15:23

Një e vërtetë e artë fshihet në faktin që Shpëtimtari ynë e largoi nga buzët e Tij kupën e verës të përzier me mirrë. Qysh nga kohët më të lashta, Biri i Perëndisë qëndronte në lartësitë e qiellit, dhe teksa vështronte rruzullin tonë, Ai mati rënien e vazhdueshme përgjatë shekujve në greminat më të thella të mjerimit njerëzor. Kështu, Ai mblodhi në një llogari të vetme të gjitha agonitë që do të kërkonte shlyerja e mëkateve, dhe nuk u zmbraps. Pastaj mori vendimin solemn që për të ofruar një blatim të mjaftueshëm shlyerës, Atij i duhej të shkonte deri në fund, nga lartësia ku gjendej, do t’i duhej të zbriste poshtë e më poshtë, nga froni i lavdisë më të lartë në kryqin e vuajtjes më të thellë. Kjo kupë përzier me mirrë, duke pasur parasysh ndikimin e saj mpirës, nuk do ta kishte lënë Atë ta përjetonte plotësisht fundin e skajshëm të mjerimit njerëzor, ja pse Ai e refuzoi atë.

Nuk do të hiqte dorë prej asgjëje që kishte marrë përsipër të bënte, për të vuajtur për popullin e Tij. Sa shumë prej nesh janë përgjëruar për të gjetur ngushëllim në dhimbje, që të mbroheshin nga lëndimi! Lexues, a nuk je lutur kurrë vallë që të lirohesh nga shërbesa e vështirë ose nga vuajtjet me një zell kryeneç e idhnak? Provania e largoi prej teje dëshirën e syve të tu sakaq. Pa më thuaj, o i krishterë, në qoftë se do të të ishte thënë: “Nëse ti dëshiron, personi i dashur për ty do të jetojë, por Perëndia do të çnderohet”, a do të mund ta kishe larguar vallë tundimin duke thënë: “U bëftë vullneti Yt”?

Është gjë e mirë të jesh në gjendje të thuash: “Zoti im, në qoftë se për ndonjë arsye nuk duhet të vuaj, ama nëse përmes vuajtjes mund të të nderoj Ty më shumë, dhe po qe se humbja e zotërimeve të mia tokësore do të të përlëvdojë Ty, atëherë u bëftë vullneti Yt! E refuzoj rehatinë po qe se të çnderon Ty.” Le të mësojmë të ecim në gjurmët e Zotit tonë, duke përballuar me gëzim çdo sprovë për hir të Tij, duke hequr dorë pa vonesë dhe vullnetarisht nga çdo mendim për veten dhe për rehatinë tonë, po qe se ky nuk do të na linte të përfundonim punën që Ai na ka dhënë për të bërë. Hir i madh nevojitet, por hir i madh sigurohet gjithashtu.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>