spurgeon dev 18 dhjetor am
December 2023

Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja.

Joeli 2:13

Grisja e rrobave dhe shfaqjet e tjera të emocioneve fetare janë gjëra lehtësisht të arritshme dhe hipokrite; por ndjesia e pendimit të vërtetë është shumë më e vështirë dhe, si rrjedhojë, shumë më e pazakontë. Njerëzit janë gati t’u përmbahen rregullave ceremoniale më të hollësishme—sepse ato gjëra i falin kënaqësi mishit. Mirëpo, besimi i vërtetë është shumë përulës, shumë zemërzhbirues dhe shumë rigoroz për shijet e njerëzve mishërorë; ata parapëlqejnë diçka më të bujshme, joserioze dhe që i takon kësaj bote. 

Ritet formale sjellin ngushëllim të përkohshëm; kënaqin syrin dhe veshin; ushqejnë vetëkënaqësinë dhe fryjnë vetëdrejtësinë: por, në fund të fundit, janë të rreme, sepse në çastin e vdekjes dhe në ditën e gjykimit, shpirtit i nevojitet diçka më e qenësishme sesa ceremonitë dhe ritet, ku të mbështetet. Të gjitha ritualet fetare janë tërësisht të kota pa perëndishmërinë e gjallë; çdo formë adhurimi është një hipokrizi solemne dhe një tallje e pafytyrë e madhështisë së qiellit nëse ofrohet pa një zemër të sinqertë. 

Zemërgrisja është vepër hyjnore dhe ndihet solemnisht. Është një dhimbje e fshehtë që përjetohet në një mënyrë personale; pra, nuk është një formalitet i thjeshtë, por një vepër e thellë dhe prekëse e Frymës së Shenjtë në thellësinë e zemrës së çdo besimtari. Nuk është një çështje për të cilën thjesht mund të flasim dhe ta besojmë, por duhet të jetë një realitet i ndier fort dhe thellë nga çdo fëmijë plot jetë i Perëndisë së gjallë. Është një gjë që të përul fuqishëm dhe të pastron tërësisht nga mëkatet, por është gjithashtu një përgatitje e ëmbël për ngushëllimet plot hir, të cilat shpirtrat krenarë dhe kryeneçë janë të paaftë që t’i përjetojnë; po ashtu është një gjë qartësisht dallimbërëse, sepse u përket të zgjedhurve të Perëndisë, dhe vetëm atyre.

Vargu na urdhëron të grisim zemrat, por, për nga natyra, ato janë të forta si mermeri: Atëherë, si mund të bëhet një gjë e tillë? Duhet t’i çojmë në kodrën e Kalvarit: atje zëri i Shpëtimtarit që po vdiste, i çau njëherë shkëmbinjtë, zë i cili është po aq i fuqishëm edhe sot. O Frymë e bekuar, na i hap veshët që të dëgjojmë grahmat e fundit të Jezusit, dhe kështu zemrat tona do të grisen, ashtu siç i grisin njerëzit rrobat e tyre në ditën e vajtimit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin