spurgeon dev 18 dhjetor pm
December 2023

Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe trego kujdes për kopetë e tua.

Fjalët e Urta 27:23

Çdo tregtar i urtë do ta bëjë herë pas here inventarin e gjësë së vet, kur do të hapë librat e llogarive dhe do të nxjerrë gjendjen e mallit që ka në dispozicion, dhe do të vlerësojë qartësisht nëse biznesi i vet po ecën mirë apo është në rënie e sipër. Çdo njeri që është i mençur për sa u përket çështjeve të mbretërisë së qiellit, do të klithë: “Më heto, o Perëndi… më provo…” (Psalmi 139:23); dhe do të caktojë shpesh periudha të veçanta vetëshqyrtimi, për të zbuluar nëse gjërat janë në rregull mes Perëndisë dhe shpirtit të tij. Perëndia që adhurojmë, është hetues i mirë zemrës; në të kaluarën, shërbëtorët e Tij i referoheshin Atij si Ai “që heton veshkat dhe zemrat; dhe do t’i jap secilit nga ju, sipas veprave tuaja” (Zbulesa 2:23).

Më lejo të të inkurajoj në emër të Tij, që të bësh një shqyrtim të zellshëm dhe një vlerësim solemn të gjendjes sate frymërore, që të mos mbetesh pa prehjen e premtuar. Kjo është ajo që bën çdo njeri i urtë, dhe ajo që Vetë Perëndia bën me ne të gjithë. Prandaj të nxis të bësh të njëjtën gjë për veten tënde sonte. Edhe shenjtori me më tepër përvojë bën mirë t’i shqyrtojë themelet e perëndishmërisë së vet, sepse pas kokave të thinjura mund të fshihen zemra të liga; por edhe besimtari i ri le të mos e shpërfillë fjalën paralajmëruese, sepse gjallëria e rinisë mund të shoqërohet me kalbësinë e hipokrizisë. Nganjëherë ndodh që të rrëzohet ndonjë gjigant frymëror. Armiku vazhdon ende të mbjellë egjër në mes të grurit.

Nuk synoj që të ngjall dyshime dhe frikë në mendjen tënde; madje, përkundrazi, shpresoj se era e fortë e vetëshqyrtimit do të të ndihmojë t’i shporrësh ato tutje. Nuk duam të vrasim sigurinë, por sigurinë në mishin; nuk duam t’i japim fund besimit, por besimit në krahun e mishit; nuk duam të shkatërrojmë paqen, por paqen e rreme.

Për hir të gjakut të çmuar të Krishtit, i cili nuk u derdh që ti të bëheshe një hipokrit, por, përkundrazi, që shpirtrat e sinqertë të mund t’i thurin Atij lavde, të përgjërohem të hetosh dhe të analizosh veten, që të mos thuhet në fund për ty: “TEKEL: ti u peshove në peshore dhe u gjet që të mungonte diçka” (Danieli 5:27).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin