Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij.
Isaia 40:11
Bariu ynë i Mirë ka në tufën e Vet dele të llojeve të ndryshme. Disa janë të forta në Zotin, ndërsa të tjera janë të dobëta në besim; mirëpo, Ai kujdeset njëlloj për delet e Tij, madje për Të, qengji më i dobët është po aq i shtrenjtë, sa edhe delja më e fortë e tufës. Ndodh rëndom që qengjat të mbeten prapa, të hallakaten dhe të priren të lodhen shpejt; por Bariu i mbron ata nga të gjitha rreziqet e këtyre dobësive me krahun e pushtetit të Tij. Menjëherë kur sapo kanë rilindur, janë si qengja të mitur që mund të preken nga çdo sëmundje e keqe e të humbasin, kështu që Ai i ushqen derisa bëhen të fuqishëm e plot jetë. Ai i gjen mendjedobëtit të ligështuar dhe gati për të vdekur—Ai i ngushëllon ata dhe ua përtërin forcat. I mbledh në gjirin e Vet të gjithë të vegjlit, sepse vullneti i Atit tonë qiellor është që asnjë prej tyre të mos humbasë.
Ai duhet të jetë vërtet syshqiponjë për t’i parë të gjithë ata! Ç’zemër të dashur duhet të ketë Ai, duke qenë se përkujdeset për të gjithë ata! Çfarë krahu të gjatë e të fuqishëm duhet të ketë Ai, duke qenë se i mbledh të gjithë ata! Gjatë jetës së Tij mbi tokë, Ai shquhej si mbledhësi i të dobëtëve, dhe tani që banon lart në qiell, zemra e Tij e dashur jepet drejt zemërbutëve dhe të penduarve, të druajturve dhe të dobëtëve, frikacakëve dhe të ligështuarve këtu poshtë. Sa butësisht që më solli pranë Vetes, tek e vërteta, te gjaku, te dashuria dhe te kisha e Tij! Me çfarë hiri të efektshëm më shtrëngoi të vij tek Ai!
Qysh prej çastit kur u ktheva në besim, Ai më ka rikthyer shpeshherë prej endjeve të mia dhe më ka mbështjellë sërish në përqafimin e krahëve të Tij të përjetshëm! Gjëja më e mirë është se Ai e bën gjithçka me duart e Veta. Ai nuk ia delegon askujt detyrën e Tij të dashurisë, por e ul Veten për të shpëtuar dhe për të ruajtur edhe shërbëtorin e Tij më të padenjë. Si mund t’ia bëj që ta dua dhe t’i shërbej Atij aq sa duhet? Dëshiroj me gjithë shpirt ta bëj të njohur emrin e Tij deri në skajet e fundit të dheut, por çfarë mund të bëj për Të në dobësinë time? Bari i Madh, shtoju mëshirave të Tua edhe këtë kërkesë të përulur: më jep një zemër plot dashuri që të të dua me të vërtetë ashtu siç duhet!
© dritez.al 2024