17 shkurt

Shkurt 2022


Meditoni mbi kthimin e Palit në besim, mbi sovranitetin e Krishtit dhe se çfarë lidhje kanë mëkatet e Palit me shpëtimin tuaj.

Pali tha se Perëndia e “kishte ndarë që nga barku i nënës”, dhe pastaj, vite më vonë, në rrugën për në Damask, “më thirri me anë të hirit të tij” (Galatasve 1:15). Kjo do të thotë se ndërmjet lindjes së Palit dhe thirrjes së tij në rrugën për në Damask, ai ishte një instrument i Perëndisë, i zgjedhur tashmë, por që ende nuk ishte thirrur (Veprat 9:15, 22:14).

Kjo do të thotë se Pali po rrihte, po burgoste dhe po vriste të krishterët, si misionar i zgjedhur prej Perëndisë, që shumë shpejt do të bëhej i krishterë.

Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, rreth mesit të ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje. Dhe unë radhë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?” (Veprat 22:6-7)         

Nuk mund ta mohojmë ose t’i shpëtojmë. Perëndia e kishte zgjedhur për këtë para se ai të lindte dhe tani do ta bënte të Tijin. Fjala e Krishtit ishte sovrane. Nuk kishte diskutime.

Çohu dhe shko në Damask! Dhe atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh. (Veprat 22:10).

Damasku nuk ishte dorëzimi final me vullnet të lirë i Palit te Krishti pas dekadash përpjekjesh të kota hyjnore për ta shpëtuar atë. Jo. Perëndia kishte një kohë për ta zgjedhur atë (para se ai të lindte) dhe një kohë për ta thirrur atë (në rrugën për në Damask). Perëndia e thirri, dhe thirrja prodhoi dorëzimin.

Prandaj, mëkatet që Perëndia lejoi nga lindja e Palit e deri te thirrja e tij ishin pjesë e planit, përderisa Perëndia mund ta kishte thirrur më shpejt. A kemi ndonjë ide se cili mund të kishte qenë plani për ato mëkate? Po, e kemi. Ato mëkate u lejuan për hirin tim dhe për hirin tënd—si dhe për të gjithë ata që ndihen se mund të kenë dalë prej hirit të tij, për shkak të mëkateve të tyre. Ja mënyra sesi Pali i lidh mëkatet e tij me shpresën tënde:

Që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe përdhosës...Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë së pari në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme. (1 e Timoteut 1:13, 16)

Oh sa të dashura janë qëllimet e Perëndisë në shpëtimin sovran të mëkatarëve të ngurtësuar dhe të pashpresë!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia