February 2023

…megjithëse aty ishte ZOTI…

Ezekieli 35:10

Princat e Edomit e panë që mbarë vendi kishte mbetur pa mbrojtje dhe menduan se do ta pushtonin lehtë. Por ata nuk e dinin që në rrugën e tyre gjendej një pengesë gjigante—për të cilën nuk e kishin fare idenë—”aty ishte ZOTI”; dhe në praninë e Tij qëndron siguria e veçantë e tokës së premtuar. Cilatdo qofshin kuthet dhe planet e armiqve të popullit të Perëndisë, prapëseprapë mbetet e njëjta barrierë e efektshme për t’i penguar planet e tyre. 

Shenjtorët janë trashëgimia e Perëndisë. Ai gjendet në mes tyre dhe do t’i mbrojë të Vetët. Ç’ngushëllim të madh na jep kjo siguri në mes të luftës dhe trazirave tona frymërore! Na kundërshtojnë vazhdimisht e megjithatë ruhemi përjetësisht! Sa të shpeshta janë shigjetat e Satanit, të cilat bien mbi besimin tonë! Mirëpo, besimi ynë i reziston fuqisë së shigjetave të zjarrta të ferrit. Ato jo vetëm që kthehen mbrapsht, por edhe shuhen mbi shqytën e besimit, sepse “aty ishte ZOTI”. 

Veprat tona të mira janë pre e sulmeve të Satanit. Asnjë virtyt apo hir i besimtarit nuk u shpëton plumbave djallëzorë: qoftë shpresa e ndritshme dhe xixëlluese, dashuria e nxehtë dhe e zjarrtë, durimi që përballon gjithçka, apo zelli që flakëron si thëngjij zjarri. Pra, armiku i vjetër i çdo të mire është përpjekur që të shkatërrojë secilën nga këto gjëra. E vetmja arsye se përse brenda nesh mbijeton ndonjë gjë e virtytshme dhe e bukur është ngaqë “aty ishte ZOTI”. 

Nëse Zoti është me ne gjatë gjithë jetës, nuk kemi pse t’i druhemi vdekjes, sepse edhe kur të ndërrojmë jetë, do të zbulojmë se “aty është ZOTI”. Aty ku tallazet janë më të stuhishme dhe uji më i ftohtë, do ta prekim fundin, duke e ditur se gjithçka është në rregull; këmbët tona do të qëndrojnë mbi Shkëmbin e Epokave, edhe kur koha të kalojë. Mik i dashur, arsyeja e vetme se përse një i krishterë nuk humb, që nga fillimi i jetës së tij dhe deri në fund të saj, është se “aty ishte ZOTI”. Kur Zoti i dashurisë së përjetshme të ndryshojë dhe t’i lërë të zgjedhurit e Tij të humbin, atëherë mund të shkatërrohet Kisha e Perëndisë; por deri atëherë kjo nuk ka për të ndodhur, sepse është shkruar: YAHWEH SHAMMAH, “aty është ZOTI”. 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin