spurgeon dev 17 qershor am
Qershor 2023

Na shpëto, o ZOT.

Psalmi 12:1

Kjo lutje është mbresëlënëse, sepse është e shkurtër, por mund të bëhet me përulësi, rregullisht dhe me dobi. Davidi u trishtua që numri i besnikëve ishte kaq i vogël, dhe për pasojë, ai e lartoi zemrën e tij në përgjërim: sepse kur krijesa e la në baltë, ai e mbajti frymën drejt e te Krijuesi. Duket qartë që ai e ndjeu dobësinë e tij, ose përndryshe nuk do të kishte kërkuar ndihmë; mirëpo, në të njëjtën kohë, ai pa dyshim që synonte të bënte gjithçka mundej për kauzën e së vërtetës, sepse thirrja “shpëto” nuk ka vend aty ku ne vetë nuk ndërmarrim asnjë veprim.

Vini re çiltërsinë, qartësinë e perceptimit dhe mënyrën karakteristike të të shprehurit në këtë lutje dyfjalëshe, të cilat e dallojnë nga përçartjet fjalëshumë të disa prej atyre që shpallin se janë besimtarë. Psalmisti e mban frymën te Perëndia i Tij me një lutje të mirëmenduar; Ai e di se çfarë kërkon dhe di se ku ta gjejë atë. Zot, mësona edhe ne të lutemi në të njëjtën mënyrë të çiltër!

Rastet kur nevojitet lutje, janë të shumta. Sa e nevojshme është lutja për besimtarët e sprovuar të cilët, nëpër pikëllime provanie, e gjejnë veten të braktisur nga të gjitha ndihmat e tjera! Sa herë që hasin vështirësi doktrinare, studiuesit do të marrin ndihmë, duke ia drejtuar Frymës së Shenjtë, Mësuesit të Madh, thirrjen “Na shpëto, o ZOT”. Luftëtarët frymërorë, në luftën e brendshme, mund t’i drejtohen fronit të hirit për përforcime, dhe ky do të jetë një model për kërkesën e tyre. Punëtorët që janë të përfshirë në shërbim të qiellit, në këtë mënyrë mund të marrin hir në kohë nevoje. Mëkatarët në kërkim të së vërtetës mund ta drejtojnë të njëjtën lutje të thjeshtë sa herë që i pushtojnë dyshimet dhe frikërat. Në fakt, në të gjitha këto raste, kohë dhe vende, kjo është një lutje që do t’i shërbejë të gjithë shpirtrave nevojtarë. “Na shpëto, o ZOT”, është një lutje që na hyn në punë në jetë dhe në vdekje, në vuajtje e veprimtari, në gëzime e pikëllime. Ndihma jonë gjendet tek Ai; prandaj le të mos përtojmë që t’i klithim Atij. 

Përgjigjja e lutjes është e sigurt, në qoftë se ajo i drejtohet Perëndisë përmes Jezusit, me zemër të sinqertë. Karakteri i Zotit na siguron se Ai nuk do t’i braktisë të Vetët; marrëdhënia e Tij me ne, si Atë dhe Bashkëshort, është një garanci për ndihmën e Tij. Dhurata që Perëndia na ka bërë në Jezusin, është një kapar për gjithë të mirat që do të pasojnë, dhe premtimi i Tij i sigurt mbetet: “Mos ki frikë, Unë do të të ndihmoj.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin