spurgeon dev 17 qershor pm
Qershor 2023

Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: “Buro, o pus! I këndoni atij!” 

Numrat 21:17

Ky pus ishte i famshëm në shkretëtirë, sepse lidhej me një premtim: “Ky është pusi për të cilin Zoti i pat thënë Moisiut: ‘Mblidhe popullin dhe unë do t’i jap ujë.’” Populli kishte nevojë për ujë, dhe iu dha një premtim nga Perëndia i tyre i hirshëm. Edhe neve na nevojiten furnizime të reja të hirit hyjnor, dhe Zoti është zotuar në besëlidhje që të na japë gjithçka na nevojitet.

Pusi u bë edhe shkak për një këngë. Përpara se të buronte uji, besimi i hareshëm u bë shkas për këngën spontane të popullit; dhe tek e shihnin ujin e kristaltë të gurgullonte, muzika u bë edhe më e gëzueshme. Në të njëjtën mënyrë, ne që besojmë në premtimin e Perëndisë, duhet të gëzohemi për mundësinë e rizgjimeve hyjnore në shpirtrat tanë, dhe tek i përjetojmë ato, hareja jonë e shenjtë duhet të gufojë prej nesh. A kemi vallë etje? Atëherë, le të mos ankohemi duke folur nëpër dhëmbë, por më mirë le të këndojmë. Etja frymërore është e hidhur për t’u duruar, por nuk kemi pse të vuajmë për shkak të saj—premtimi na tregon një pus; pra, le të marrim zemër dhe le ta kërkojmë atë.

Për më tepër, pusi u kthye në një kërkesë lutjeje: “Buro, o pus!”. Duhet ta kërkojmë me ngulm atë që Perëndia është zotuar të na japë, sepse përndryshe duket sikur nuk kemi as dëshirë dhe as besim. Le të lutemi këtë mbrëmje që leximi i Shkrimeve dhe koha jonë e qetë të mos jenë një formalitet i thjeshtë, por një kanal hiri për shpirtrat tanë. Veproftë Perëndia Frymë e Shenjtë në ne me gjithë fuqinë e Tij të pushtetshme, duke na mbushur me gjithë plotësinë e Perëndisë! Së fundi, pusi ishte fryti i punës së lodhshme. “Pusit … fisnikët e popullit e kanë gërmuar ... me bastunët e tyre.” Zoti dëshiron që të jemi aktivë në sigurimin e hirit. Pajisjet tona nuk bëjnë për të gërmuar në rërë, por duhet t’i përdorim me gjithë aftësinë tonë. Lutja nuk duhet shpërfillur; populli i Perëndisë nuk duhet të heqë dorë nga të mbledhurit së bashku; mjetet e hirit nuk duhen shpërfillur. Zoti do të na e japë paqen e Tij me shumë bujari, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë nëse rrimë duarkryq. Prandaj, le ta nxisim njëri-tjetrin për ta kërkuar Atë, në të cilin i gjejmë të gjitha burimet tona të freskëta dhe gurgulluese.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin