prill 17

Prill 2022


Vër re: Ta duash Perëndinë nuk do të thotë të zbatosh vetëm urdhërimet e Tij. Do të thotë të kesh atë lloj zemre për Perëndinë që thotë se zbatimi i urdhërimeve nuk është një barrë. Këtë thotë Gjoni, por pastaj ai e paraqet atë të vërtetë në lidhje me lindjen e re dhe me besimin, në vend të dashurisë. Ai thotë pa ndaluar fare: “Sepse”—domethënë, ja pse urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda: “Kushdo që ka lindur nga Perëndia e mund botën”. Prandaj, lindja e re është ajo që i mposht pengesat e botës për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë pa i parë ato si një barrë.

Dhe në fund, ai shton: “Dhe kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë”. Prandaj, lindja e re i mposht pengesat e botës për t'i zbatuar urdhërimet e Perëndisë jo si barrë, për shkak se lindja e re prodhon besim. Pra, mrekullia e lindjes së re krijon besim, i cili e përqafon gjithçka që Perëndia është për ne në Jezusin si Ai që na kënaq më tepër se të gjithë, dhe kjo e bën bindjen ndaj Perëndisë më të dëshirueshme se tundimet e botës. Ky është kuptimi i të dashurit të Perëndisë.

Pastori dhe teologu i shekullit të tetëmbëdhjetë, Jonathan Edwards, u përlesh me këtë tekst dhe doli në përfundimin: “Besimi shpëtues nënkupton... dashuri... dashuria jonë për Perëndinë na aftëson t’i mposhtim vështirësitë që shoqërojnë mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë—gjë që tregon se dashuria është gjëja kryesore në besimin shpëtues, është jeta dhe fuqia e tij, përmes së cilës besimi prodhon efekte të mëdha.”

Mendoj se Edwards-i ka të drejtë dhe ka tekste të panumërta në Bibël, të cilat e mbështesin atë që ai thotë.

Një mënyrë tjetër për ta thënë është se besimi në Krishtin nuk është thjesht rënia dakord me atë që Perëndia është për ne, por gjithashtu përqafimi i gjithë sa ai është për ne në Krishtin. “Besimi e përqafon Krishtin në çfarëdo mënyre që Shkrim ua paraqet atë mëkatarëve të mjerë”—ky është një citat tjetër nga Edwards. Ky “përqafim” është një lloj dashurie për Krishtin—ai lloj dashurie që e çmon Atë mbi gjithçka.

Prandaj, nuk ka kontradiktë mes 1 e Gjonit 5:3 nga njëra anë, që thotë se dashuria jonë për Perëndinë na aftëson t’i mbajmë urdhërimet e Tij, dhe vargut 4 nga ana tjetër, që thotë se besimi ynë i mposht pengesat e botës, të cilat na kundërshtojnë në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë. Dashuria për Perëndinë dhe për Krishtin është e nënkuptuar në besim.

Pastaj Gjoni e përkufizon besimin që bindet si “ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë” (1 e Gjonit 5:5). Ky besim po e “përqafon” Jezusin real si personi i lavdishëm hyjnor që Ai është: si Birin e Perëndisë. Nuk është thjesht miratimi i të vërtetës se Jezusi është Biri i Perëndisë, sepse edhe demonët e miratojnë këtë. “Ç’ka midis nesh dhe teje, Jezus, Bir i Perëndisë? A ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” (Mateu 8:29). Të besosh se Jezusi është Biri i Perëndisë do të thotë “të përqafosh” domethënien e asaj të vërtete—domethënë vlerën e realitetit. Do të thotë të kënaqesh me Krishtin si Biri i Perëndisë dhe me gjithë sa Perëndia është për ne në të.

“Biri i Perëndisë” do të thotë se Jezusi është personi më i lartë në gjithësi përkrah Atit të Tij. Prandaj, gjithë sa ai na mësoi është e vërtetë, gjithë sa ai na premtoi është e palëkundshme, dhe gjithë madhështia e tij që na kënaq shpirtin nuk do të ndryshojë kurrë.

Pra, të besosh se ai është Biri i Perëndisë, përfshin mbështetjen e plotë në gjithë këtë të vërtetë dhe të qenët i kënaqur me Të.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia