Por ju iu afruat … gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
Hebrenjve 12:22, 24
Lexues, a i je afruar “gjakut të spërkatjes”? Këtu nuk bëhet fjalë nëse ke fituar njohuri mbi doktrinat, nëse ke kryer ritet, apo nëse ke pasur ndonjë përjetim të rrallë, por nëse i je afruar gjakut të Jezusit?
Gjaku i Jezusit është jeta e gjithë perëndishmërisë jetike. Nëse vërtet i je qasur Jezusit, ne e dimë se si erdhe—Fryma e Shenjtë të çoi me dashamirësi atje. Ti nuk iu qase gjakut të spërkatjes në sajë të meritave të tua. Fajtor, i humbur dhe i pashpresë, ti erdhe që ta merrje atë gjak dhe vetëm atë gjak, si shpresën tënde të përjetshme. Ti iu qase kryqit të Krishtit me zemër të lënduar dhe drithëruese; dhe oh, ç’tingull magjepsës t’u duk zëri i gjakut të Jezusit tek e dëgjoje!
Derdhja e gjakut të Tij është si një melodi qiellore për bijtë e penduar të tokës! Ne jemi plot me mëkat, por Shpëtimtari na urdhëron t’i ngremë sytë drejt Tij; dhe tek shohim plagët e Tij që rrjedhin gjak, çdo pikë gjaku tek bie, klith: “U krye! I dhashë fund mëkatit; vendosa drejtësinë e amshueshme.”
Oh, sa i ëmbël është tingulli i gjakut të çmuar të Jezusit! Nëse ke ardhur tek ai gjak njëherë, do të vish vazhdimisht. Do ta jetosh jetën tënde “duke i drejtuar sytë te Jezusi”. E gjithë sjellja jote do të përmblidhet në këto fjalë: “duke ardhur tek Ai”. Jo tek ai ku kam ardhur, por tek Ai ku vij përherë. Nëse i je afruar ndonjëherë gjakut të spërkatjes, do ta ndiesh nevojën të vish tek ai përditë. Ai që nuk ka dëshirë të lahet në të përditë, nuk është larë kurrë në të. Besimtarët e konsiderojnë vazhdimisht si një gëzim dhe privilegj që ende kanë në dispozicion një burim të tillë gurgullues. Përvojat e së kaluarës janë një ushqim i pasigurt për të krishterët; vetëm afrimi i vazhdueshëm te Krishti mund të na falë gëzim e ngushëllim. Këtë mëngjes, le t’i spërkasim shtalkat e derës sërish me gjak, dhe pastaj të shtrojmë gosti për Qengjin, duke qenë të sigurt se engjëlli i shkatërrimit do të kalojë mbi ne [pa na prekur]!
© dritez.al 2024