Prill 2023

“Duam të shohim Jezusin.”

Gjoni 12:21

Thirrja e përhershme e botës është: “Kush do të na tregojë ndonjë gjë të mirë?”. Ata e kërkojnë kënaqësinë te ngushëllimet, dëfrimet dhe pasuritë e kësaj bote. Mirëpo, mëkatari i rilindur njeh vetëm një të mirë. “Ah, sikur të dija ku mund ta gjej Atë!”. Kur zgjohet aq sa duhet për ta ndier fajin e tij, edhe sikur t’ia vësh përpara këmbëve gjithë arin e botës, ai do të të thoshte: “Merre mbrapsht, unë dua të gjej Atë!”. 

Është bekim për dikë kur të gjitha dëshirat e tij mblidhen në një pikë dhe përqendrohen në një objekt të vetëm. Nëse dikush ka pesëdhjetë dëshira të ndryshme, zemra e tij i ngjason një pellgu të ndenjur që shpërhapet e bëhet një moçal, i cili  shkakton vetëm sëmundje; por kur të gjitha dëshirat e tij kanalizohen në një drejtim të vetëm, zemra e tij bëhet si një lumë me ujë të kulluar, që rrjedh me shpejtësi për të ujitur fushat. 

I lumi ai që ka një dëshirë të vetme, sidomos kur kjo dëshirë ka të bëjë me Krishtin, edhe pse mund të mos jetë përmbushur ende! Kur shpirti e dëshiron Jezusin, ky është një tregues i qartë i veprës hyjnore brenda tij. Një njeri i tillë nuk do të jetë kurrë i kënaqur me rite fetare. Ai do të thotë: “Dua Krishtin, duhet ta kem Atë—ritet fetare nuk më hyjnë në punë. Unë dua Atë Vetë, mos m’i ofroni këto! Ju më ofroni një brokë bosh kur unë po vdes nga etja; më jepni ujë, përndryshe do të vdes. Jezusi është dëshira e zemrës sime. Dëshiroj të shoh Jezusin!”.

O lexuesi im, a mos vallë je edhe ti në këtë gjendje pikërisht tani? A ke edhe ti një dëshirë të vetme dhe a ka të bëjë ajo me Krishtin? Atëherë, nuk je larg mbretërisë së qiellit. A mos vallë ke një dëshirë të vetme në zemër që të pastrohesh nga të gjitha mëkatet e tua në gjakun e Jezusit? A mund të thuash me gjithë zemër: “Do të jepja gjithçka sa kam që të jem i krishterë. Do të hiqja dorë nga gjithçka që zotëroj dhe shpresoj, vetëm e vetëm që të kisha në zemër një ndjenjë të vërtetë interesi për Krishtin”? Atëherë, mos ua vër veshin frikërave të tua, por merr zemër—Zoti të do dhe shpejt do të dalësh në dritën e diellit, dhe do të gëzohesh me lirinë me anë të së cilës Krishti të bën të lirë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin