Nëntor 2022
Kuptimi i krishterimit do të thotë se ndryshimi është i mundur. Kur themi ndryshim, jemi duke thënë për një ndryshim të thellë dhe rrënjësor. Ka shumë mundësi të bëhesh zemërbutë kur dikur ke qenë i pandjeshëm dhe i ngurtë. Ka shumë mundësi që të mos mbizotërohesh më nga hidhërimi dhe zemërimi. Ka shumë mundësi që të bëhesh një person i dashur, pavarësisht se cili ka qenë sfondi yt.
Bibla e pranon si të vërtetë faktin që Perëndia është faktori vendimtar në procesin që na bën ata që duhet të jemi. Me një qartësi të mrekullueshme, Bibla thotë: “Le të hiqet nga ju... çdo mbrapshti” dhe jini “të përdëllyeshëm” (Efesianëve 4:31-32). Ajo nuk thotë: “Nëse mundeni…”, ose: “Nëse prindërit tuaj ishin të përdëllyeshëm…” apo: “Nëse nuk ju kanë abuzuar në mënyrë të tmerrshme…” Ajo thotë: “Jini... të përdëllyeshëm.”
Kjo e vërtetë është një gjë mrekullisht çliruese dhe na çliron nga fatalizmi i tmerrshëm që thotë se ndryshimi është i pamundur për mua. Kjo e vërtetë më çliron nga pikëpamjet e ngurta që e bëjnë prejardhjen time të jetë fati im.
Urdhërimet e Perëndisë vijnë gjithmonë me një të vërtetë çliruese dhe jetëndryshuese, të cilën duhet ta besojmë. Për shembull:
▪ Perëndia na birësoi si fëmijët e Tij. Ne kemi një At të ri dhe një familje të re. Kjo e vërtetë i thyen forcat fataliste të “origjinës së familjes tonë biologjike”. “Dhe mbi tokë mos quani askënd atin tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej” (Mateu 23:9).
▪ Perëndia na do si fëmijët e Tij. Ne jemi “bij të dashur” (Efesianëve 5:1). Urdhërimi për të imituar dashurinë e Perëndisë nuk qëndron i shkëputur, ai vjen me fuqi: “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij të dashur.” “Dashuri!” është urdhërimi dhe të qenët të dashur nga Perëndia është fuqia.
▪ Perëndia na ka falur në Krishtin. Por jini të mirë dhe të përdëllyeshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin (Efesianëve 4:32). Ajo që Perëndia bëri në Krishtin është e fuqishme. Ajo e bën ndryshimin të mundur. Urdhërimi për të qenë zemërbutë ka të bëjë më tepër me atë që Perëndia bëri për ty sesa me atë që bëri nëna apo babai yt. Ky lloj urdhërimi do të thotë që ti mund të ndryshosh.
▪ Krishti të deshi dhe dha veten e Tij për ty. “Ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na [të] deshi” (Efesianëve 5:2). Urdhërimi vjen me një të vërtetë jetëndryshuese. “Krishti të deshi.” Në çastin kur ka një mundësi për të dashur dhe një zë të thotë: “Ti nuk je një person i dashur,” mund të thuash: “Dashuria e Krishtit për mua më bën një lloj të ri personi. Urdhërimi i tij për të dashur është po aq i mundur për mua aq sa është i vërtetë edhe premtimi i Tij i dashurisë për mua.”
Mos ji fatalist. Ji i krishterë. Ndryshimi është i mundur. Perëndia është i gjallë. Krishti është ringjallur. Premtimet janë të vërteta.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022