Duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, zgjedhjen tuaj.
1 e Thesalonikasve 1:4
Shumë njerëz duan të dinë nëse janë të zgjedhur përpara se t’i drejtojnë sytë te Krishti, mirëpo, një gjë të tillë nuk është e mundur; ajo duhet zbuluar vetëm “duke i drejtuar sytë te Jezusi” (Hebrenjve 12:2). Nëse dëshiron të sigurohesh për zgjedhjen tënde, ndiq metodën e mëposhtme, dhe do ta sigurosh zemrën tënde përpara Perëndisë.
A ndihesh se je një mëkatar fajtor e i humbur? Shko menjëherë te kryqi i Krishtit dhe thuaja këtë Jezusit, duke i treguar Atij se në Bibël ke lexuar që: “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr [kurrë] jashtë” (Gjoni 6:37). Thuaji Atij se ka thënë: “Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 e Timoteut 1:15). Ngriji sytë te Jezusi dhe beso tek Ai, dhe do ta marrësh provën e zgjedhjes sate drejtpërsëdrejti, sepse zgjedhja jote është po aq e sigurt sa fakti që ti beson.
Në qoftë se ia dorëzon veten plotësisht Krishtit dhe i beson Atij, atëherë je një nga të zgjedhurit e Perëndisë; mirëpo, në qoftë se ndalesh dhe thua: “Së pari, dua të di nëse jam i zgjedhur”, dije se pyetja jote është e kotë. Shko te Jezusi ashtu si je, me gjithë fajin tënd! Lëri pas teje të gjitha pyetjet kureshtare rreth zgjedhjes sate! Shko drejt e te Krishti dhe fshihu në plagët e Tij, dhe do ta kuptosh nëse je i zgjedhur ose jo. Pastaj do të të falet siguria e Frymës së Shenjtë dhe kështu do të bëhesh i aftë të thuash: “E di se kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i fuqishëm ta ruajë ndoren time deri në atë ditë” (2 e Timoteut 1:12).
Krishti mori pjesë te këshilli i amshueshëm—Ai mund të të tregojë nëse je i zgjedhur ose jo; por ti nuk mund ta zbulosh dot në asnjë mënyrë tjetër një gjë të tillë. Shko dhe vëre besimin tënd tek Ai, dhe përgjigjja e Tij do të jetë: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3). Nuk do të të mbetet më asnjë dyshim rreth faktit nëse Ai të ka zgjedhur ty, kur ti ta kesh zgjedhur Atë.
Na bën bij zgjedhja e Perëndisë,
[Të gjithëve] ne që në Jezu Krishtin besojmë.
© dritez.al 2024