spurgeon dev 17 gusht am
August 2023

…mirësinë e Perëndisë.

Psalmi 52:8

Medito paksa rreth kësaj mirësie të Zotit. Është mirësi e dhembshur. Me një prekje të lehtë e plot dashuri, Ai i shëron zemërthyerit dhe i fashon plagët e tyre. Ai është po aq i hirshëm në mënyrën se si e fal mirësinë e Tij, sa edhe në përmbajtjen e saj. Është mirësi e madhe. Nuk ka asgjë të vogël te Perëndia; mirësia e Tij është si Ai Vetë—është e pafundme. As mos mendo se mund ta masësh dot atë. Mëshira e Tij është aq e madhe, saqë fal edhe mëkatet e mëdha të mëkatarëve të mëdhenj, shumë kohë pasi ato janë kryer, dhe pastaj u dhuron atyre favore dhe privilegje të mëdha, dhe i ngre në gëzime të mëdha në qiellin e madh të Perëndisë madhështor.

Është mirësi e pamerituar, ashtu siç duhet të jetë e gjithë mëshira e vërtetë, sepse mëshira e merituar është veçse një term i gabuar që përdoret për drejtësinë. Mëkatari nuk kishte asnjë të drejtë të priste një trajtim të mirë prej Shumë të Lartit; nëse rebeli do të ishte dënuar menjëherë në zjarrin e përjetshëm, do ta kishte merituar plotësisht ndëshkimin, prandaj nëse i shpëtoi zemërimit hyjnor, kjo ndodhi vetëm për shkak të dashurisë sovrane, sepse nuk kishte asgjë të mirë në vetë mëkatarin. Është mirësi e pasur. Disa gjëra janë të mëdha, por janë shumë pak të efektshme, por kjo mirësi është si toniku për zemërlëshuarit, një melhem i artë për plagët e gjakosura, një bandazh qiellor për kockat e tua të thyera, një karrocë mbretërore për këmbët e tua të lodhura dhe një gji plot dashuri për zemrën tënde të drithëruar.

Është mirësi e shumëfishtë. Ashtu siç thotë Bunyan-i: “Të gjitha lulet e kopshtit të Perëndisë janë të dyfishta.” Nuk ka mirësi teke. Mund të mendosh se të është falur një mirësi e vetme, por do të zbulosh se është një tufëz mëshirash. Është mirësi e bollshme. Me miliona e kanë marrë atë, por në vend që të shterojë, ajo është po aq e freskët, e plotë dhe falas, sa edhe përherë. Është mirësi e pashtershme. Kurrë nuk do të të lërë në baltë. Nëse mëshira është shoku yt, do të jetë me ty në tundime për të të ruajtur që të mos dorëzohesh, me ty në shqetësime për të mos të të lënë të përfundosh keq, me ty në jetë për të qenë drita dhe jeta e fytyrës sate, dhe me ty në vdekje për të qenë gëzimi i shpirtit tënd kur rehatitë e kësaj bote të zhduken me shpejtësi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>