“Kjo sëmundje nuk është për vdekje.”
Gjoni 11:4
Nga fjalët e Zotit tonë mësojmë se edhe sëmundja e ka një cak. Ja ku kemi këtu shprehjen “është për”, e cila shërben edhe si caku përfundimtar i sëmundjes, cak përtej të cilit ajo nuk shkon dot. Llazari mund të kalonte edhe përmes vdekjes, por vdekja nuk do të ishte fundi i sëmundjes së tij. Në çdo sëmundje, Zoti u thotë valëve të dhimbjes: “Deri këtu mund të shkoni, por jo më tutje.” Synimi i Tij i mirëpërcaktuar nuk është shkatërrimi, por mësimi i popullit të Vet. Urtësia e vendos termostatin te gryka e furrnaltës dhe rregullon nxehtësinë brenda saj.
1. Caku është i gjithëmbarshëm për sa i takon nxitjes sonë. Perëndia i provanisë e ka kufizuar kohën, mënyrën, intensitetin, përsëritjen dhe pasojat e sëmundjeve tona. Çdo dhimbje është dhënë me dekret, çdo orë e pagjumë është paracaktuar, çdo rigjallërim sëmundjeje është caktuar, çdo lëshim zemre është i paranjohur dhe çdo rezultat shenjtërues është planifikuar që nga përjetësia. Asgjë e madhe ose e vogël nuk i shpëton dorës paracaktuese të Atij që numëron edhe flokët e kokës sonë.
2. Caku i është përshtatur urtësisht fuqisë sonë, qëllimit të synuar dhe hirit të ndarë për këtë qëllim. Vuajtjet nuk janë pasojë e rastësisë—forca e çdo goditjeje të purtekës është e matur saktë. Ai që nuk bëri asnjë gabim në peshimin e reve dhe në shtrirjen e qiejve, nuk bën asnjë gabim në matjen e elementeve që e përbëjnë ilaçin e shpirtrave. As mund të vuajmë më tepër dhe as mund të shërohemi më vonë nga sa ishte përcaktuar.
3. Caku është caktuar me dhembshuri. Bisturia e Kirurgut hyjnor asnjëherë nuk pret më thellë sesa është absolutisht e nevojshme. “...sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve” (Vajtimet 3:33). Një zemër nëne klith: “Ma shpëto fëmijën!”; mirëpo, nuk ka mëmë që të jetë më e dhembshur sesa Perëndia ynë i hirshëm. Kur e mendojmë se sa kryeneçë jemi, është çudi që Zoti nuk përdor një kapistër me më shumë dhëmbë për të na drejtuar. Ja ku kemi një mendim plot ngushëllim, sepse Ai që ka caktuar caqet e jetëve tona, ka përcaktuar po ashtu edhe caqet e mundimeve tona.
© dritez.al 2024