spurgeon dev 17 dhjetor am
December 2023

“Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate.”

Jeremia 2:2

Le të vërejmë se Krishti mendon me kënaqësi për Kishën e Tij dhe e sodit me ëndje bukurinë e saj. Ashtu si zogu që kthehet shpesh në çerdhen e vet dhe shtegtari që nxiton drejt shtëpisë së tij, kështu edhe mendja e ndjek vazhdimisht objektin e saj të zgjedhur. Nuk ngopemi asnjëherë duke e parë fytyrën që duam; ne dëshirojmë ta kemi vazhdimisht atë që është e çmuar për ne.

Kështu ndodh edhe me Zotin tonë Jezus. Që nga përjetësia, Ai ka qenë duke u kënaqur “me bijtë e njerëzve” (Fjalët e Urta 8:31). Mendimet e Tij ishin të drejtuara për nga koha kur të zgjedhurit do të vinin në botë; Ai i shihte në pasqyrën e paranjohjes së Tij. “...në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende” (Psalmi 139:16). Ai ishte atje kur bota u ngrit mbi shtyllat e saj, dhe caktoi kufijtë e popujve në bazë të numrit të fëmijëve të Izraelit. Shumë kohë përpara mishërimit të Tij, Ai zbriti në këtë tokë në trajtë njeriu—në lisat e Mamres (Zan. 18), te lumi Jabok (Zan. 32: 24-30), poshtë mureve të Jerikos (Joz. 5:13) dhe në furrën e zjarrtë të Babilonisë (Dan. 3:19, 25).

Biri i njeriut e vizitoi popullin e Tij. Për shkak se shpirti i Tij gjente ëndje në ta, Ai nuk qëndronte dot larg tyre, sepse zemra e Tij digjej për ta. Nuk mund të fshiheshin kurrë nga zemra e Tij, sepse i kishte shkruar emrat e tyre në duart e Veta dhe i kishte gdhendur në të Tijën ijë.

Ashtu si parzmorja që përmbante emrat e fiseve të Izraelit, ishte zbukurimi më i shkëlqyeshëm që mbante veshur kryeprifti, kështu edhe emrat e të zgjedhurve të Krishtit ishin gurët e Tij më të çmuar dhe vezullonin mbi zemrën e Tij. Shpesh mund të harrojmë të meditojmë rreth përsosmërive të Zotit tonë, por Ai nuk resht kurrë së na kujtuari. Le ta qortojmë veten për harresat e së kaluarës dhe le të lutemi për hir, që të mund ta kujtojmë vazhdimisht dhe me shumë dashuri Atë. Zot, pikturoje imazhin e Birit Tënd mbi bebëzat e shpirtit tim!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin