spurgeon dev 17 dhjetor pm
December 2023

“Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet dhe do të hyjë dhe do të dalë dhe do të gjejë kullotë.”

Gjoni 10:9

Jezusi, UNË JAM-i i madh, është hyrja për në Kishën e vërtetë dhe rruga përmes së cilës mund t’i qasemi Vetë Perëndisë. Kujtdo që vjen te Perëndia përmes Tij, Ai i fal katër privilegje të zgjedhura.

1. Do të shpëtohet. Vrasësi ikanak ishte i sigurt me të hyrë brenda portës së qytetit të strehimit. Noeu ishte i sigurt me të vënë këmbë brenda arkës. Askush prej atyre që e marrin Jezusin si derën e besimit për shpirtin e tyre, nuk mund të humbasë. Hyrja përmes Jezusit në paqe është garancia e hyrjes përmes së njëjtës derë në qiell. Jezusi është e vetmja derë: një derë e hapur, një derë e gjerë dhe një derë e sigurt; dhe i bekuar është ai që e mbështet të gjithë shpresën e tij për t’u pranuar në lavdi, në Shpengimtarin e kryqëzuar.

2. Do të hyjë. Ai do të gëzojë privilegjin të bëhet pjesë e familjes qiellore, duke ngrënë bukën e fëmijëve dhe duke marrë pjesë në të gjitha nderimet dhe të drejtat e tyre. Do të futet brenda në odat e përbashkësisë, në gostitë e dashurisë, në thesaret e besëlidhjes dhe në magazinat e premtimeve. Do të hyjë në praninë e Mbretit të mbretërve me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, dhe atij do t’i tregohet sekreti i Zotit.

3. Do të dalë. Ky është nga ato bekime që harrohen shpesh. Vërtet dalim në botë për t’u përpjekur e për të vuajtur, por sa mëshirë e madhe është që dalim në emrin dhe fuqinë e Jezusit! Jemi thirrur të dëshmojmë për të vërtetën, të ngushëllojmë të pangushëlluarit, të paralajmërojmë të pakujdesshmit, të fitojmë shpirtra dhe të përlëvdojmë Perëndinë. Dhe siç i tha engjëlli Gedeonit: “Shko me këtë fuqi që ke” (Gjyqtarët 6:14), ashtu dëshiron edhe Zoti që ne të dalim si lajmëtarët e Tij, në emrin dhe në fuqinë e Tij.

4. Do të gjejë kullotë. Atij që e njeh Jezusin, kurrë nuk ka për t’i munguar asgjë. Daljet dhe hyrjet do të jenë po aq të dobishme për të: do të rritet në përbashkësi me Perëndinë, dhe tek i ujit të tjerët, do të ujitet për vete. Pasi ta ketë bërë Jezusin gjithçka për veten e tij, do të gjejë gjithçka tek Ai. Shpirti i tij do të jetë si një kopsht i ujitur dhe si një pus ujërat e të cilit nuk shterojnë kurrë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin