February 2023

Sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.

Filipianëve 4:11

Këto fjalë na tregojnë se kënaqja nuk është një prirje e natyrshme e njeriut. Barërat e këqija rriten shpejt. Lakmia, pakënaqësia dhe të folurit nëpër dhëmbë janë po aq të natyrshme për njeriun, sa janë gjembat për tokën. Neve nuk na duhet të mbjellim gjembaçë dhe driza; ata dalin mjaft natyrshëm, për shkak se i përkasin tokës. Po kështu, ne nuk kemi nevojë t’i mësojmë njerëzit se si të ankohen; për ta të ankuarit është një gjë kaq e natyrshme, sa e mësojnë vetë edhe pa mësues.

Mirëpo, produktet më me vlerë të tokës duhen kultivuar. Nëse duam të korrim grurë, ne duhet të punojmë tokën dhe ta mbjellim atë; nëse duam lule, na nevojitet një lulishte dhe përkujdesja e kopshtarit. 

Në fakt, kënaqja është një nga lulet e parajsës dhe nëse duam ta kemi atë, duhet medoemos ta kultivojmë, sepse ajo nuk do të rritet në mënyrë të natyrshme në ne. Vetëm natyra e re mund ta prodhojë atë, madje edhe atëherë duhet të bëjmë shumë kujdes dhe të jemi syçelë, për ta ruajtur dhe kultivuar hirin që Perëndia ka mbjellë në ne. Pali thotë: “…unë jam mësuar të kënaqem…”, çka mund të interpretohet se ishte një kohë kur ai nuk dinte si ta bënte këtë gjë. Iu deshën ca vuajtje, që ai ta zbulonte këtë të vërtetë të madhe. Nuk ka dyshim që ai ndonjëherë mendonte se kishte mësuar, dhe atëherë ai binte. Mirëpo, kur, më në fund, e kishte përvetësuar mësimin dhe mund të thoshte: “...sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam”, ishte një burrë i moshuar e i thinjur, me një këmbë në varr—një i burgosur i gjorë, i mbyllur në qelinë e Neronit në Romë.

Edhe ne mund të ishim të gatshëm t’i duronim vuajtjet e Palit dhe ta ndanim me të qelinë e ftohtë, nëse edhe ne mund ta kishim arritur disi nivelin e tij të lartë. Mos ia ushqe vetes mendimin se mund të kënaqesh duke mësuar ose se mund të mësosh pa disiplinë! Nuk është një fuqi që mund të ushtrohet natyrshëm, por një aftësi që duhet fituar gradualisht. Këtë e dimë edhe nga përvoja. I krishterë, mos fol më ndër dhëmbë, edhe pse kjo është diçka e natyrshme për ty, dhe ngulmo si një student i zellshëm në Universitetin e Kënaqjes!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin