…Frymën tënde të mirë...
Nehemia 9:20
Sa i përhapur është mëkati i të harruarit të Frymës së Shenjtë! Kjo është marrëzi dhe mosmirënjohje. Ai meriton më mirë se kaq nga ne, sepse është i mirë, madje jashtëzakonisht i mirë. Duke qenë Perëndi, ai është i mirë në vetvete. Ai ka pjesën e Tij në atributin e trefishtë “I Shenjtë, I Shenjtë, I Shenjtë”, që i takon Trinisë së Shenjtë. Ai është pastërti, e vërtetë dhe hir i kulluar. I mirë me dashamirësi është Ai, duke e duruar me zemërbutësi mosbindjen tonë, duke luftuar me vullnetin tonë kryengritës, duke na ngjallur nga vdekja jonë në mëkat dhe pastaj duke na trajnuar për qiellin, ashtu si një atë i dashur i trajnon fëmijët e vet. Sa zemërgjerë, falës dhe i butë është ky i durueshmi Frymë i Perëndisë! Ai është i mirë në veprimtarinë e Tij.
Të gjitha veprat e Tij janë të mira në shkallën më sipërore: Ai na sjell në mendje mendime të mira, na nxit për vepra të mira, na zbulon të vërteta të mira, zbaton premtime të mira, na ndihmon në arritje të mira dhe na çon drejt rezultateve të mira. Në mbarë botën nuk ekziston asnjë e mirë frymërore, e cila nuk e ka Atë për autorin dhe mbështetësin e saj, dhe vetë parajsa do t’i detyrohet veprës së Tij për karakterin e përsosur të banorëve të saj të shpenguar. Ai është i mirë në funksionin e Tij. Qoftë si Ngushëllues, Mësues, Udhëheqës, Shenjtërues, Rigjallërues apo Ndërmjetësues, Ai e përmbush mirë funksionin e Tij dhe çdo vepër e Tij ka në thelb të saj më të mirën e mundshme për kishën e Perëndisë.
Ata që i nënshtrohen ndikimit të Tij, bëhen të mirë; ata që u binden nxitjeve të Tij, bëjnë të mirën; dhe ata që jetojnë në fuqinë e Tij, marrin bekimin. Pra, le të sillemi ndaj Tij sipas urdhrave të mirënjohjes. Le ta nderojmë dhe ta adhurojmë Atë si Perëndi mbi gjithçka, i bekuar për jetë e mot. Le ta pranojmë fuqinë e Tij dhe nevojën që kemi për Të, duke pritur në Të për të gjitha ndërmarrjet tona të shenjta. Le ta kërkojmë orë e çast ndihmën e Tij dhe kurrë të mos e trishtojmë Atë; si edhe, le t’i thurim lavde Atij sa herë që na jepet mundësia. Kisha nuk do të ketë kurrë mbarësi, derisa të besojë me shumë nderim në Frymën e Shenjtë. Ai është kaq i mirë dhe mirëdashës, saqë është me të vërtetë për të ardhur keq, që ne ta trishtojmë Atë me mospërfilljen dhe indiferencën tonë.
© dritez.al 2024