spurgeon dev 16 qershor am
Qershor 2023

“Dhe unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak.”

Gjoni 10:28

I krishteri nuk duhet që të mendojë apo të flasë kurrë me mendjelehtësi rreth mosbesimit. Perëndia e ka shumë zët kur fëmijëve të Tij u mungon besimi në dashurinë e Tij, në të vërtetën e Tij dhe në besnikërinë e Tij. Si mund të guxojmë ta lëndojmë Atë duke dyshuar në hirin e Tij që na mban?

I krishterë, mundësia që ti të harroheshe apo të humbisje, është diçka që bie ndesh me të gjitha premtimet e Fjalës së çmuar të Perëndisë. Nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, atëherë si mund të konsiderohej i vërtetë Ai që ka thënë: “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj” (Isaia 49:15). E ç’vlerë do të kishte atëherë ky premtim: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë ZOTI, që ka dhembshuri për ty” (Isaia 54:10)? A do të ishin vallë të vërteta fjalët e Krishtit: “Unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim” (Gjoni 10:28-29)? Po doktrinat e hirit ç’vlerë do të kishin vallë? Të gjitha do të binin poshtë si gënjeshtra, sikur edhe një fëmijë i vetëm i Perëndisë të humbiste. Ç’vlerë do të kishin vërtetësia e Perëndisë, nderi i Tij, fuqia, hiri, besëlidhja dhe betimi i Tij, në qoftë se ndonjë prej atyre për të cilët vdiq Krishti dhe që kanë besuar në Të, gjithsesi do të flakej tutje?

Dëboji, pra, ato druajtje mosbesuese, të cilat e çnderojnë aq shumë Perëndinë! Ngrihu, shkunde tej pluhurin që të ka mbuluar, dhe vishi petkat e gëzimit! Kujtoji vetes se është mëkat të dyshosh në Fjalën e Tij, ku Ai të ka premtuar se nuk do të humbasësh kurrë! Le ta shprehë veten me ngazëllim plot besim jeta e përjetshme që është brenda teje!

Ungjilli e mban shpirtin tim t’fort’:
pandryshueshmi e besniku Zot
Hedh themelin e shpresës sime,
Në gjak, betime dhe premtime.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin