Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
Psalmi 27:1
ZOTI është drita ime dhe shpëtimi im. Këto janë fjalë që shprehin një interes vetjak: “drita ime”, “shpëtimi im”; shpirti është i sigurt për këtë dhe prandaj e shpall plot guxim. Në çastin e rilindjes, drita hyjnore e përmbyt shpirtin për t’i hapur rrugën shpëtimit. Në fakt, aty ku nuk ka dritë të mjaftueshme për të nxjerrë në pah terrin që na ka pllakosur, dhe për të na bërë të digjemi nga dëshira për Zotin Jezus, mungojnë provat e shpëtimit.
Pas kthimit tonë në besim, Perëndia ynë është gëzimi, ngushëllimi, udhëheqësi, mësuesi ynë dhe, në të gjitha kuptimet e mundshme, edhe drita jonë: Ai është drita brenda nesh, drita përreth nesh, drita që rrezaton prej nesh, si dhe drita që do të na zbulohet. Vini re, nuk thuhet vetëm që Zoti jep dritë, por thuhet se Ai është dritë; nuk thuhet se Ai fal shpëtim, por që Ai është shpëtim. Prandaj, ai që me anë të besimit është kapur fort pas Perëndisë, i zotëron të gjitha bekimet e besëlidhjes. Duke qenë se ky është një fakt i sigurt, thelbi i tij shprehet në formën e një pyetjeje: “Nga kush do të kem frikë?”. Kjo është një nga ato pyetje që e kanë përgjigjen brenda vetes. Nuk duhet pasur frikë nga fuqitë e errësirës, sepse Zoti, drita jonë, i shkatërron ato; po ashtu nuk duhet t’i druhemi mallkimit të ferrit, sepse Zoti është shpëtimi ynë.
Kjo është një sfidë që ndryshon kryekëput nga ajo e mburravecit Goliath, sepse nuk mbështetet mbi forcën kryelartë të fuqisë njerëzore, por mbi fuqinë e vërtetë të të plotfuqishmit UNË JAM. “ZOTI është kështjella (fuqia) e jetës sime.” Ja ku kemi një epitet të tretë i cili shkëlqen po aq fort sa dy të parët, si për të treguar se shpresa e autorit ishte e lidhur me një litar tresh që nuk mund të këputej. Nuk është habi kur thurim lavde përmbi lavde aty ku Zoti derdh vepra hiri pa kursim.
Jeta jonë e merr të gjithë forcën e saj nga Perëndia; dhe nëse Ai e sheh të udhës të na bëjë të fortë, nuk kanë se ç’të na bëjnë makinacionet e kundërshtarit. “Nga kush do të kem frikë?” Kjo pyetje e guximshme e hedh vështrimin si drejt së ardhmes, ashtu edhe në të tashmen. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh” (Romakëve 8:31), qoftë tani ose në të ardhmen?
© dritez.al 2024