Prill 2023

…gjakut të çmuar të Krishtit…

1 e Pjetrit 1:19

Tek qëndrojmë në këmbë të kryqit, ne shohim këmbë, duar dhe një ijë, prej së cilave rrjedhin currila të kuqërreme “gjaku të çmuar”. Është “i çmuar” për shkak të efektshmërisë shpenguese dhe shlyese të tij. Nëpërmjet tij shlyhen mëkatet e njerëzve të Krishtit; ata shpengohen nga sundimi i ligjit; pajtohen me Perëndinë, duke u bërë njësh me Të. 

Gjaku i Krishtit është “i çmuar” edhe për shkak të fuqisë së tij pastruese; ai na pastron nga çdo paudhësi. “...edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora” (Isaia 1:18). Përmes gjakut të Jezusit nuk mbetet më asnjë njollë mbi çdo besimtar, dhe as ndonjë rrudhë apo ndonjë gjë tjetër si këto. O gjak i çmuar që na pastron, duke na hequr njollat e paudhësisë sonë dhe duke na bërë të pranuar në Shumë të Dashurin, pavarësisht nga mënyrat e shumta në të cilat kemi rebeluar kundër Perëndisë sonë! 

Gjaku i Krishtit është “i çmuar” edhe për vetë fuqinë e tij ruajtëse. Duke qenë se jemi spërkatur me atë gjak, engjëlli i shkatërrimit nuk na prek dot. Kujtoni se arsyeja e vërtetë se përse u kursyem ishte se Perëndia pa gjakun. Çfarë ngushëllimi [është ky] për ne, sepse syri i Perëndisë sheh përherë njëlloj, edhe atëherë kur syri ynë i besimit errësohet! Gjaku i Krishtit është “i çmuar” edhe për ndikimin e tij shenjtërues. 

I njëjti gjak që shfajëson duke na hequr mëkatin, po ashtu sjell në jetë [brenda nesh] natyrën e re dhe e udhëheq atë në mposhtjen e mëkatit dhe në bindje ndaj urdhëresave të Perëndisë. Nuk ka një arsye më të fortë për të qenë të shenjtë, sesa ajo që rrjedh nga damarët e Jezusit. “I çmuar”, madje papërshkrueshmërisht i çmuar, është ky gjak për shkak të fuqisë së tij ngadhënjyese. Është shkruar: “Dhe ata e mundën atë me anë të gjakut të Qengjit…” (Zbulesa 12:11). E si mund të fitonin ndryshe? Ai që lufton me gjakun e çmuar të Jezusit, ka në duar një armë që nuk njeh disfatë.

Gjaku i Jezusit! Mëkati vdes në praninë e tij; vdekja pushon së qeni vdekje: portat e Qiellit hapen. Gjaku i Jezusit! Do të marshojmë përpara nga fitorja në fitore për sa kohë që kemi besim në fuqinë e tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin