Prill 2023

Kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit.

Eksodi 17:12

Kaq e fuqishme ishte lutja e Moisiut, saqë gjithçka varej prej saj. Përgjërimet e Moisiut e shpartalluan armikun më shumë sesa lufta e Jozueut. Mirëpo, ato që të dyja ishin të nevojshme. Kështu, kur brenda shpirtit shpërthen lufta, zelli dhe forca, vendosmëria dhe përkushtimi, guximi dhe entuziazmi, të gjitha këto duhet të bashkojnë forcat dhe gjithçka do të shkojë mirë. 

Ju duhet të përlesheni me mëkatin tuaj, por shumica e këtyre përleshjeve duhet të bëhet kur të jeni vetëm për vetëm me Perëndinë. Një lutje si ajo e Moisiut e ngre lart dëshminë e besëlidhjes përpara Zotit. Bastuni ishte shenja treguese që Perëndia vepronte përmes Moisiut, simboli i sundimit të Perëndisë mbi Izraelin. Mëso, o shenjtor lutës, si ta ngresh lart premtimin dhe betimin e Perëndisë përpara Tij! Zoti nuk mund t’i mohojë deklaratat e Tij. Ngrije lart bastunin e premtimit, dhe do të marrësh atë që dëshiron! 

Moisiut iu lodhën duart dhe kur kjo ndodhi, i erdhën shokët në ndihmë. Sa herë që lutja jote ta humbasë gjallërinë, lëre besimin të ta mbajë lart njërën dorë dhe shpresën e shenjtë të ta ngrejë lart dorën tjetër! Dhe lutja, duke u ulur mbi gurin e Izraelit, shkëmbin e shpëtimit tonë, do të ngulmojë dhe ngadhënjejë. Ki kujdes që të mos ligështohesh në përkushtimin tënd!

Nëse Moisiu ndjeu ligështim, kush vallë mund t’i shpëtojë atij? Është shumë më e lehtë ta luftosh mëkatin në publik, sesa të lutesh kundër tij kur je vetëm. Është vënë re se Jozueut nuk iu lodh dora gjatë betejës, por Moisiu u lodh duke u lutur; sa më frymëror të jetë një ushtrim, aq më e vështirë është për mishin dhe për gjakun që të vazhdojnë ta bëjnë atë.

Atëherë, le të lutemi për fuqi të pashoqe, dhe Fryma e Perëndisë që na ndihmon në dobësitë tona, na ndihmoftë edhe ne ashtu siç bëri me Moisiun, duke na aftësuar që t’i mbajmë duart lart “deri në perëndimin e diellit”, derisa nata e jetës të mbarojë, dhe derisa të vijë koha kur të lindë një diell më i bukur mbi tokën ku lutja të përpihet në lavdërim!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin