spurgeon dev 16 nëntor am
November 2023

“Zoti është pjesa ime”, thotë shpirti im.

Vajtimet 3:24

Nuk thuhet: “Zoti është pjesërisht pjesa ime”, dhe as “Zoti është në pjesën time”; por Ai Vetë përbën tërësinë e trashëgimisë së shpirtit tim. Brenda perimetrit të atij rrethi gjendet gjithçka që zotërojmë ose dëshirojmë.

Zoti është pjesa ime. Jo vetëm hiri i Tij, as dashuria e Tij, as besëlidhja e Tij, por Vetë Jahveh-u. Ai na ka zgjedhur si pjesën e Vet dhe ne e kemi zgjedhur Atë si pjesën tonë.

Në të vërtetë është Zoti Ai që duhet ta zgjedhë së pari trashëgiminë tonë për ne, ose përndryshe, ne nuk do ta zgjidhnim kurrë për vete; por në qoftë se jemi vërtet të thirrur në përputhje me qëllimin e dashurisë zgjedhëse, ne mund të këndojmë:

Sa fort Perëndia im më do,
Ja pse me dashuri të zjarrtë i gjegjem;
Para agimit t’koh’rave më zgjodhi,
Ja pse unë e zgjedh Atë.

Zoti është pjesa jonë e gjithëmjaftueshme. Perëndia është mbushullia e Vetes së Tij; dhe në qoftë se Perëndia është i gjithëmjaftueshëm në Vetvete, prej kësaj rrjedh që është i gjithëmjaftueshëm edhe për ne. Dëshirat e njeriut zor se mund të kënaqen ndonjëherë. Atëherë kur mendon se është kënaqur, zgjohet menjëherë për shkak të ndjesisë se ka ende diçka pa konsumuar, dhe ëndjet e tij mbeten të pashuara.

Mirëpo, gjithçka që mund të dëshirojmë si besimtarë, gjendet në pjesën tonë hyjnore, prandaj pyesim: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psalmi 73:25). Kështu do të gjejmë kënaqësinë tonë në Zotin, i cili na lë të pimë nga lumi i kënaqësive të Tij.

Besimi ynë i shtrin krahët dhe ngjitet si një shqiponjë në qiellin e dashurisë hyjnore, i cili është banesa e tij e përshtatshme. “Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë” (Psalmi 16:6). Le të ngazëllehemi gjithmonë në Zotin; le t’i tregojmë botës se jemi një popull i lumtur dhe i bekuar, dhe kështu të bëjmë që ata të thërrasin: “Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin