Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar.
1 e Timoteut 6:17
Zoti ynë Jezus na jep pareshtur dhe nuk e mbledh dorën e Tij për asnjë moment të vetëm. Për sa kohë që ka një enë hiri, e cila nuk është mbushur buzë më buzë, vaji do të derdhet pa kursim. Ai është dielli që shkëlqen përherë; Ai është mana që bie pa pushim [përreth kampit]; Ai është shkëmbi në shkretëtirë nga brinja e tejshpuar e të cilit burojnë vazhdimisht burime jete; shiu i hirit të Tij bie pareshtur; lumi i bollëkut të Tij rrjedh pambarimisht, dhe po ashtu, edhe burimi i dashurisë së Tij gurgullon me bollëk.
Meqenëse Ai është Mbret i pavdekshëm, hiri i Tij nuk mbaron kurrë. Ditë për ditë mbledhim frytet e Tij dhe po ditë për ditë, degët e Tij ulen deri në duart tona me një furnizim të ri mëshire. Javët e Tij përbëhen nga shtatë ditë feste, ndërsa vitet kanë aq gosti, sa edhe ditë. Kush vallë është larguar nga dera e Tij pa u bekuar? Kush vallë është ngritur nga tryeza e Tij i pangopur ose i pakënaqur? Mëshirat e tij janë të reja çdo mëngjes dhe të freskëta çdo mbrëmje. Kush vallë mund ta llogaritë numrin e të mirave të Tij ose të vlerësojë furnizimet e Tij? Çdo ditë që kalon, ne jemi përfitues të një morie mëshirash.
Krahët e orëve tona janë mbuluar nga argjendi i mirësisë së Tij dhe nga ari i ndritshëm i dashurisë së Tij. Lumi i kohës sjell rërat e arta të favorit të Tij nga malet e përjetësisë. Yjet e panumërta shërbejnë si mbajtësit e bekimeve të pallogaritshme. Kush mund t’i matë vallë të mirat që Ai derdh mbi shërbëtorin e Tij, ose kush mund ta llogarisë vallë gjerësinë e mëshirave të Tij ndaj të vetëve? Si mund të mos e madhërojë vallë shpriti im Atë që na mbush përditë me të mira dhe që na kurorëzon me dashamirësi? Oh, sikur të ishte lavdërimi im po aq i pasosur, sa edhe bekimet e Tij! O gjuhë e mjerë, si mund të heshtësh? Zgjohu, të lutem, se përndryshe nuk do të të quaj më lavdia ime, por turpi im! “Rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin” (Psalmi 57:8)!
© dritez.al 2024