Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi. Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
Psalmi 102:13-14
Sa e vështirë është të përpiqesh ta ngushëllosh një njeri egoist që ka rënë në halle e probleme, sepse burimet e tij të ngushëllimit gjenden krejtësisht brenda tij, dhe kur ai trishtohet, të gjitha këto burime shterojnë. Mirëpo, një njeri zemërmadh plot me bujari të krishterë ka burime të tjera që e furnizojnë me ngushëllim, përveç atyre që gjenden brenda tij. Ky mund të shkojë më së pari te Perëndia i tij dhe atje të gjejë ndihmë me bollëk; aty mund të zbulojë argumente që i falin ngushëllim për çëshje që kanë të bëjnë me botën në përgjithësi, me atdheun e tij dhe mbi të gjitha me Kishën. Në këtë psalm, Davidi ishte tej mase i pikëlluar; ai shkroi: “Jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara. Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati” (Psalmi 102:6-7). E vetmja mënyrë në të cilën ai mund ta ngushëllonte veten, ishte duke reflektuar se si Perëndia do të ngrihej dhe do të shfaqte mëshirë për Sionin. Edhe pse ai ishte i trishtuar, prapëseprapë, Sioni do të begatohej; sado poshtë të binte ai, Sioni do të ngrihej lart e më lart.
I krishterë, mëso ta ngushëllosh veten në sjelljen plot hir të Perëndisë ndaj Kishës! Ajo që është kaq e dashur për Mësuesin tënd, a nuk duhet të jetë e dashur para së gjithash për ty? Megjithëse shtegu ku po ecën mund të jetë i zi sterrë, a nuk mund të ta gëzojnë zemrën fitoret e kryqit të Tij dhe përhapja e së vërtetës së Tij? Hallet tona personale harrohen kur shohim jo vetëm atë që ka bërë dhe që po bën Perëndia për Sionin, por edhe kur e hedhim vështrimin drejt gjërave që Ai do të bëjë për Kishën e Vet.
Ndiqe këtë këshillë, o besimtar, sa herë që ke zemër të trishtuar dhe frymë të rënduar: harroje veten dhe shqetësimet e tua të vogla, dhe kërko mirëqenien dhe begatinë e Sionit! Sa herë që ulesh në gjunjë për t’iu lutur Perëndisë, mos i kufizo përgjërimet e tua në rrethin e ngushtë të jetës sate të vogël, sado e mbushur me sprova qoftë ajo, por nis lutjet e tua të ethshme për begatinë e kishës. “Lutu për paqen e Jerusalemit” (Psalmi 122:6), dhe shpirti yt do të ripërtërihet.
© dritez.al 2024