Korrik 2022
Në këtë gjë, Perëndia është punëtori vendimtar. Vepro për shpëtimin tënd…, sepse Perëndia është Ai që vepron në ty edhe vullnetin edhe veprimtarinë. Perëndia vendos dhe vepron sipas pëlqimit e Tij, por të besuarit e kësaj të vërtete nuk i bën të krishterët pasivë. Kjo i bën ata të kenë shpresë, energji dhe guxim.
Çdo ditë ka një punë, që duhet bërë në një shërbesë të caktuar. Pali na urdhëron të punojmë për ta përmbushur atë punë, por ai na thotë si ta bëjmë në fuqinë, që siguron Perëndia: besoji Atij! Beso premtimin se, në këtë ditë, Perëndia do të jetë duke punuar në ty edhe vullnetin edhe veprimtarinë sipas pëlqimit të Tij.
Vetë Perëndia është Ai që e sjell premtimin e hirit të ardhshëm në përjetimin tonë të tanishëm, i cili punon me hir në çdo moment. Pali nuk përqendrohet te mirënjohja për hirin e kaluar kur shpjegon se si veprojmë për shpëtimin tonë. Po e përmend këtë thjesht për shkak se shumë të krishterë, kur i pyet se cili është motivi për bindjen e tyre, ata do të thonë mirënjohja. Por kjo nuk është ajo që Pali thekson kur flet për motivin dhe fuqinë e veprimtarisë tonë. Ai përqendrohet te besimi në atë që Perëndia do të bëjë dhe jo thjesht në atë që Ai ka bërë. Vepro për shpëtimin tënd! Pse? Si? Sepse për çdo moment ka hir të ri nga Perëndia. Ai është duke vepruar në vullnetin tënd dhe në veprimtarinë tënde çdo herë që ti ushtron vullnet dhe vepron. Besoje këtë për sfidat me të cilat do të përballesh orën apo mijëvjeçarin tjetër.
Fuqia e hirit të ardhshëm është fuqia e Krishtit të gjallë–i cili është gjithmonë i pranishëm për të punuar për ne, në çdo çast të së ardhmes sonë. Prandaj, kur Pali përshkruan efektin e hirit të Perëndisë që ishte me të, ai thotë: “Sepse nuk do të guxoj të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjellë në bindje kombet me fjalë dhe me vepër” (Romakëve 15:18).
Prandaj, përderisa ai nuk guxonte të fliste për asnjë gjë tjetër veç asaj që Krishti arriti përmes shërbesës së tij, e megjithatë, ai në fakt, foli për atë që hiri arriti përmes shërbesës së tij (1 e Korintasve 15:10), kjo duhet të ketë kuptimin se fuqia e hirit është fuqia e Krishtit.
Kjo do të thotë se fuqia që kemi nevojë për shërbesë në pesë minutat apo pesë dekadat në vazhdim, është hiri i ardhshëm i Krishtit të gjithëpushtetshëm, që do të jetë gjithmonë i pranishëm për ne–gati për të dhënë vullnetin dhe veprimtarinë sipas pëlqimit të Tij.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022